Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Qytetari nga Kosova bën pelegrinazh për Thaçin dhe UÇK-në në meshën e shenjtë në Vatikan

Qytetari nga Kosova bën pelegrinazh për Thaçin dhe UÇK-në në meshën e shenjtë në Vatikan

Qytetari nga Kosova, Sali Bislimi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka realizuar një pelegrinazh për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë meshës së shenjtë të mbajtur në Bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan.

Bislimi ka bërë të ditur se mori pjesë në meshën e udhëhequr nga Papa Leone, në kuadër të jubileut të të burgosurve, ku ishin të pranishëm mbi 100 mijë besimtarë brenda dhe jashtë bazilikës. Ai thekson se pati mundësinë të ngrinte flamurin e UÇK-së dhe të shprehte publikisht mbështetjen për ish-presidentin Thaçi, të cilin e cilëson si të burgosur politik.

Sipas tij, pjesëmarrja në këtë meshë u mundësua nga Perfektura Papale, e cila i kishte akorduar dy bileta. Gjatë qëndrimit në Vatikan, Bislimi deklaron se ka takuar edhe një kardinal anglez, i cili e ka bekuar atë dhe flamurin e UÇK-së.

Ai thekson se ndjeu emocione të forta gjatë këtij momenti, duke e konsideruar UÇK-në dhe ish-presidentin Thaçi si simbol të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, ai përmend takimin me dy priftërinj nga Kosova, Don Meritonin dhe Don Danielin, për të cilët thotë se shprehën solidaritet me të paraburgosurit në Hagë.

Në fund, Bislimi u bën thirrje klerit fetar në Kosovë që të angazhohet më shumë për të ardhmen evropiane të vendit, duke theksuar vuajtjet historike të popullit shqiptar dhe kontributin e tij në mbrojtjen e vlerave perëndimore.