Dhuna në familje lë pasoja të rënda dhe afatgjata tek fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2024, 220 fëmijë të moshës 0–18 vjeç në Kosovë kanë qenë viktima të dhunës në familje, sipas të dhënave të Policisë.
Televizioni Dukagjini ka siguruar dosjen e një rasti të rëndë, ku fëmijët, përveç se ishin dëshmitarë të dhunës ndaj nënës, ishin edhe vetë viktima të dhunës fizike e psikologjike nga babai i tyre, i cili dyshohet për vrasje të rëndë. Fëmijët kishin përjetuar kërcënime të vazhdueshme, përfshirë edhe kërcënimin se do t’u vritej nëna.
Sociologu Jeton Brajshori thekson se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dhunës ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve, duke i bërë ata ose introvertë, ose duke rrezikuar që dhuna të normalizohet dhe të riprodhohet në të ardhmen.
Ndërkohë, Fjolla Hoxha nga organizata “Terre des hommes” vlerëson se, pavarësisht ekzistencës së ligjeve dhe strategjive, mungon zbatimi i tyre efektiv në praktikë, gjë që e lë fëmijën si viktimën më të pambrojtur.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë raportuar 2,959 raste të dhunës në familje, ku shumica e viktimave janë gra, ndërsa raportet më të shpeshta të dhunës janë mes bashkëshortëve.
Ekspertët bëjnë thirrje që institucionet të reagojnë më shpejt dhe më vendosmërisht, pasi dhuna në familje nuk prek vetëm viktimat direkte, por formëson në mënyrë të rrezikshme edhe brezat e ardhshëm.