Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kënga për Albin Kurtin në tubimin e LVV-së në Zvicër ndez reagime të ashpra: “Përtej marrëzisë” dhe “romantizim i dhunës”

Kënga për Albin Kurtin në tubimin e LVV-së në Zvicër ndez reagime të ashpra: “Përtej marrëzisë” dhe “romantizim i dhunës”

Një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i mbajtur të shtunën në Zurich të Zvicrës, në kuadër të aktiviteteve elektorale edhe pse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në skenën politike në Kosovë. Në këtë ngjarje, kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, u prit nga shumë bashkëatdhetarë, ndërsa pjesë e programit ishte edhe një këngë e interpretuar nga kandidatja për deputete dhe këngëtarja Edona Llalloshi, kushtuar Kurtit.

Kënga e Llalloshit ngjalli polemika të shumta, veçanërisht për shkak të vargut: “Nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”, i cili u cilësua nga kritikët si i papërshtatshëm dhe nxitës.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi ashpër ndaj kësaj ngjarjeje, duke e quajtur atë “një nivel tjetër të marrëzisë” dhe duke paralajmëruar për rrezikun e mentalitetit që, sipas saj, po promovohet.

“Çfarë pamë nga tubimi i LVV-së në Zvicër ishte një nivel tjetër i marrëzisë. (…) Por kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Reagim pati edhe nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, tha se romantizimi i dhunës nuk mund të quhet art dhe vuri në pikëpyetje mesazhin e këngës.

“Romantizimi i dhunës nuk është art. (…) ‘Jam Albini, pushkë me qitë’, kujt do t’i drejtohen plumbat, artiste e dashur?!”, ka shkruar Halimi, duke shtuar se vendit i nevojitet paqe dhe mirëqenie, jo thirrje që, sipas saj, legjitimojnë dhunën.

Edhe analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me performancën e këngëtares Edona Llalloshi para audiencës së mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër, duke vlerësuar se ajo nuk ishte e rastësishme dhe se mbart një mesazh të qartë politik.

Sipas Kasollit, kënga e interpretuar nga Llalloshi është intonuar me bekimin e kryeministrit Albin Kurti dhe strukturave që, siç shprehet ai, përkujdesen për imazhin e tij publik.

Kënga e Edona Llalloshit ka nxitur reagime të shumta edhe në rrjete sociale, ndërsa vetë këngëtarja dhe deputetja e LVV-së ende nuk ka reaguar publikisht lidhur me kritikat.

Ndryshe, Edona Llalloshi ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LVV-së në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe po garon për një mandat të dytë në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit. Ajo, së bashku me kandidatët e tjerë për deputet dhe me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, u pritën nga bashkatdhetarët në tubimin e mbajtur në Zurich. /TVArbëria