Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pas mesazhit të Qëndrim Kryeziut, autori nga Ilirida e falenderon me zemër: Fjalët e tua janë dëshmi, jo vetëm koment

Pas mesazhit të Qëndrim Kryeziut, autori nga Ilirida e falenderon me zemër: Fjalët e tua janë dëshmi, jo vetëm koment

Poeti dhe shkrimtari i njohur nga Ilirida, Burhan Bekteshi, ka reaguar me një mesazh të thellë emocional dhe filozofik pas postimit publik të kandidatit për deputet nga PDK, Qëndrim Kryeziu, i cili e vlerësoi veprën e tij më të re “Një Dekadë me Dëshmorët” si një akt të fuqishëm të ruajtjes së amanetit dhe trashëgimisë së dëshmorëve të kombit.

Në reagimin e tij, Bekteshi shkon përtej një falënderimi formal, duke e kthyer përgjigjen në një reflektim të thellë mbi kujtesën kombëtare, sakrificën dhe rolin e fjalës në kohë padrejtësish.

“Faleminderit shumë, Qëndrim, nga zemra. Fjalët e tua nuk janë vetëm koment, janë dëshmi. Janë dorë që shtrihet mbi plagë dhe i thotë kujtesës: mos u lodh, vazhdo”, shkruan Bekteshi.

Ai thekson se vullneti shpirtëror është më i fortë se çdo kufizim fizik, duke e lidhur këtë me përvojën e tij personale dhe me misionin që ia ka dhënë vetes përmes shkrimit.

“Kur njeriu e mban amanetin në zemër, asnjë pengesë nuk e ndal. As karroca, as dhimbja, as lodhja. Sepse kur lëviz shpirti, trupi vetëm e ndjek”, shprehet ai.

Bekteshi sqaron se motivi i tij nuk ka qenë kurrë ekspozimi personal, por ruajtja e kujtesës së atyre që ranë për lirinë e vendit.

“Unë nuk kam shkruar për t’u dukur, kam shkruar për të mos i humbur ata që ranë. Kam shkruar që emrat e dëshmorëve të mos mbesin vetëm në gurë, por të ecin me ne, të flasin me ne, të na gjykojnë në heshtje”, thekson poeti.

Në një nga pjesët më të forta të reagimit, ai e zhvesh librin nga autorësia personale, duke ia atribuar plotësisht dëshmorëve.

“Libri nuk është i imi. Ai është i atyre që dhanë jetën që ne sot të flasim lirshëm. Unë jam vetëm zëri që u përpoq të mos dridhet”, shkruan Bekteshi.

Duke iu referuar takimit me Qëndrim Kryeziun gjatë protestës në Shkup kundër, siç u cilësua, padrejtësive të Gjykatës Speciale, Bekteshi e quan atë moment dëshmi se fjala dhe poezia ende kanë peshë shoqërore dhe kombëtare.

“Takimi yt në Shkup, në atë protestë të dhimbshme e dinjitoze, ishte për mua dëshmi se fjala ende peshon, se poezia ende ka vend në betejë, dhe se e vërteta, sado e shtypur, nuk vdes”, nënvizon ai.

Në përmbyllje, Bekteshi falënderon Kryeziun për mënyrën se si e ka parë veprën dhe njeriun, duke e konsideruar këtë një akt respekti ndaj dinjitetit njerëzor dhe kujtesës kolektive.

“Faleminderit që e pe librin jo si letër, por si qëndresë. Faleminderit që e pe njeriun përtej karrocës. Dhe mbi të gjitha, faleminderit që e mbajte gjallë kujtesën, sepse pa të, asnjë komb nuk ecën përpara”.