Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka vlerësuar lart kontributin letrar dhe atdhetar të poetit dhe shkrimtarit të njohur nga Ilirida, Burhan Bekteshi, duke theksuar se vullneti dhe forca shpirtërore nuk njohin pengesa.
Përmes një reagimi publik, Kryeziu ka veçuar librin më të ri të Bekteshit, “Një Dekadë me Dëshmorët”, si një vepër që përjetëson emrat e heronjve të luftërave çlirimtare në kujtesën kombëtare, pavarësisht sfidave fizike me të cilat përballet autori.
“Edhe pse në karrocë për shkak të pamundësisë për të lëvizur, Burhan Bekteshi, përmes penës së tij, ka çliruar shpirtin e një kombi”, ka theksuar Kryeziu, duke shtuar se kur ekziston vullneti i brendshëm për ta mbajtur gjallë amanetin e dëshmorëve, nuk ka pengesë që e ndal angazhimin për atdheun.
Ai ka bërë të ditur se Bekteshin e ka takuar gjatë protestës në Shkup kundër, siç u shpreh, padrejtësisë së orkestruar nga Gjykata Speciale, takim që e ka lënë të mallëngjyer dhe të impresionuar nga forca e jashtëzakonshme krijuese e shkrimtarit.
“Faleminderit, Burhan, që na tregove se nuk ka asnjë pengesë që mund ta ndalojë njeriun të angazhohet në mbrojtje të atdheut”, ka përfunduar Kryeziu.