Pas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ka ardhur koha për zgjedhje në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar duke thënë se vendi është i gatshëm të organizojë zgjedhje vetëm nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund të garantojnë siguri të plotë.
Megjithatë, analistët politikë në Ukrainë vlerësojnë se mbajtja e zgjedhjeve në kushtet aktuale është pothuajse e pamundur.
Politologu ukrainas Volodymyr Fesenko i ka quajtur zgjedhjet gjatë luftës “krejtësisht jorealiste”. Ai ka sugjeruar që përfaqësues të administratës Trump të angazhohen si këshilltarë zyrtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, për të kuptuar nga afër realitetin në terren.
“Ata duhet të udhëtojnë në Kherson, Kharkiv, Sumy, Nikopol, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Odesa – por mbi të gjitha në vijën e frontit, pranë Pokrovsk, Kupiansk ose Hulyaipole – dhe të qëndrojnë aty disa ditë, jo vetëm disa orë. Vetëm atëherë mund të vlerësojnë realisht nëse zgjedhjet janë të mundshme,” ka deklaruar Fesenko për Kyiv Post.
Edhe politologu tjetër, Mykhailo Bassarab, ka renditur disa arsye pse zgjedhjet janë të papërshtatshme në kohë lufte. Sipas tij, kërkesa për zgjedhje ka ardhur nga jashtë dhe përbën ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Ukrainës.
“Rusia nuk është e interesuar për rezultatin e zgjedhjeve, por për vetë procesin, i cili krijon hapësirë të madhe për sabotim. Për më tepër, një fushatë zgjedhore në kushtet aktuale mund ta destabilizojë më tej një shtet të dobësuar nga lufta, si përmes faktorëve të brendshëm ashtu edhe ndërhyrjes armiqësore,” vlerëson Bassarab.
“Njerëzit nuk mund të votojnë nga bodrumet dhe rrënojat”
Edhe gazeta polake Polityka thekson se kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ekzistojnë aktualisht në Ukrainë. Sipas saj, akses i barabartë në informacion është i pamundur në shumë zona të vendit.
“Në qytete kjo mund të jetë pjesërisht e realizueshme, por ka fshatra të tëra të izoluara nga lufta, pa energji elektrike ose ujë. Njerëzit jetojnë në bodrume dhe rrënoja, të fokusuar vetëm në mbijetesë. Çdo vëzhgues ndërkombëtar do t’i vinte në dyshim zgjedhjet në këto kushte,” shkruan Polityka.
Gazeta shton se që nga fillimi i luftës, autoritetet ukrainase kanë kufizuar aksesin në media për arsye sigurie, ndërsa dezinformimi mbetet një armë kyçe e Kremlinit.
Në këtë kontekst, shumica e analistëve pajtohen se zgjedhjet në Ukrainë gjatë luftës nuk janë vetëm të vështira teknikisht, por edhe potencialisht destabilizuese për vendin.