Mijëra qytetarë shqiptarë u mblodhën të shtunën pasdite në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të kërkuar drejtësi në përfundim të procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale në Hagë.
Protesta u zhvillua pa incidente dhe nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin “UÇK, UÇK” dhe valëvitnin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe të UÇK-së.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se tubimi kishte për qëllim ngritjen e zërit për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka lindur dhe ka vepruar nga populli.
Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues politikë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cilësoi tubimin si “një protestë gjithëkombëtare, të qetë, dinjitoze dhe të fuqishme”, duke theksuar se mesazhi ishte i qartë: drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se UÇK-ja mbetet luftë çlirimtare dhe se askush nuk ka të drejtë ta rishkruajë historinë apo ta njollosë luftën për liri.
“Sot nga Shkupi u dëgjua zëri i unitetit shqiptar. Një zë që nuk kërcënon askënd, por që nuk pranon padrejtësinë,” shkroi Limaj.
Ndërkohë, ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, reagoi në rrjetet sociale me mesazhin: “Shkupi sot UÇK! Drejtësi për çlirimtarët”.
Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen, duke theksuar se kërkesa e vetme e protestës ishte drejtësia.
Kjo ishte protesta e pestë me radhë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesës për drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.