Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PZAP certifikon kandidatët për deputetë të Listës Serbe

PZAP certifikon kandidatët për deputetë të Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të pranojë ankesën e Listës Serbe dhe të certifikojë kandidatët për deputetë të kësaj partie për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas vendimit të publikuar të shtunën, PZAP ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e kandidatëve në mbledhjen e 10 dhjetorit ishte i mangët dhe jo i plotë, pasi nuk trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjekteve politike.

“Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor, konkludohet se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë juridikisht, pasi nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me Rregulloren e Certifikimit të subjekteve politike,” thuhet në vendimin e PZAP-së.

Tutje, PZAP ka theksuar se Lista Serbe ka respektuar të gjitha afatet për regjistrimin e kandidatëve dhe ka marrë rekomandim pozitiv nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, ndaj ka aprovuar ankesën.