Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Çështja e sigurisë, Mehaj raporton sot në komision parlamentar

Çështja e sigurisë, Mehaj raporton sot në komision parlamentar

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, raporton sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2022.

Mbledhja e komisionit pritet të fillojë nga ora 10:00.

Aktualisht situata në veri të vendit është e tensionuar për shkak të barrikadave të ngritura nga bandat kriminale.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

/TV Arbëria

Powered by WordPress