Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Trajkoviq lirohet për mjekim në shtëpi: Maska pro-europiane e regjimit të Beogradit ra

Trajkoviq lirohet për mjekim në shtëpi: Maska pro-europiane e regjimit të Beogradit ra

Gjendja shëndetësore e këshilltares së ministrit për Kthim dhe Komunitete, Rada Trajkoviq, është përkeqësuar dje derisa po mbahej nga policia serbe në pikëkalimin kufitar të Merdares. Si rezultat i kësaj, ajo u transferua në një qendër mjekësore në Prokupël të Serbisë.

Por sot ajo ka treguar se ka dalë nga spitali dhe është dërguar për mjekim në shtëpi, derisa thotë se është në gjendje stabile shëndetësore.

“Përshëndetje, njerëz të mirë. Mëngjesin e sotëm në orën 06:00 dola nga spitali për mjekim në shtëpi. Unë jam i qëndrueshëm. Faleminderit secilit prej jush që luftuat për mua. Më bëtë më të fortë. Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën për torturën. U treguan njerëz të mrekullueshëm!”, ka shkruar Trajokoviq.

Ajo thotë se autoritetet serbe treguan fytyrën e vërtetë me trajtimin që ia bënë asaj, duke thënë se iu ka ra “maska pro-europiane”.

“Nuk prisja më mirë nga regjimi. Ditët e fundit kanë ekspozuar fytyrën e tyre të vërtetë. Maska ‘pro-europiane’ ka rënë dhe ne të gjithë e dimë tani me kë kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtarët dhe abuzojnë me ligjin për të shkatërruar këdo që i pengon, qoftë serb, shqiptar, kroat… Nëse kjo më ka ndodhur mua, të cilin publiku e njeh mirë si dikë që ka 20 vjet që lufton për serbët në Kosovë, atëherë e njëjta gjë mund t’i ndodhë kujtdo. Më dhemb të mendoj se për sa histori të ngjashme publiku nuk ka dëgjuar. Por një gjë është e vërtetë: me veprimet e tij, ky regjim heq dorë publikisht nga vlerat civilizuese”.

Trajkoviq iu ka bërë thirrje të gjithëve që të përballen me këtë regjim “secili në mënyrën tuaj, çdo ditë dhe pa asnjë grimë frikë”.

Ajo tha se është për drejtësinë, lirinë dhe të vërtetën dhe se “për këtë ia vlen të luftosh”. /TV Arbëria

Powered by WordPress