Dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, fushata po intensifikohet dhe liderët politikë po publikojnë premtimet e tyre të fundit për qytetarët e Kosovës.
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës po e bazon fushatën në ekonominë familjare.
Hamza premton rritje të pagave dhe pensioneve që në fillim të mandatit të tij, duke e quajtur këtë “vendimi i parë i qeverisë së re”.
Ai kërkon gjithashtu heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe një kthesë drejt stabilitetit financiar e investimeve kapitale.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës po u drejtohet qytetarëve me mesazhin e stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik.
Abdixhiku premton zhvillim ekonomik, forcim të institucioneve dhe thellim të partneritetit me SHBA-në dhe vendet kryesore të BE-së.
Ai thotë se LDK ofron “rrugën e qartë dhe të sigurt” për Kosovën.
Kryeministri në detyrë po kërkon rinovimin e mandatit me mesazhe për pjesëmarrje të gjerë dhe vazhdimësi të reformave të qeverisë aktuale.
Kurti thekson rëndësinë e demokracisë dhe stabilitetit, ndërsa kundërshtarët e tij e sfidojnë me premtime të mëdha ekonomike.
Ai mbron rezultatet e deritashme dhe fton qytetarët të vendosin për drejtimin e ardhshëm të vendit.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po shkon në terren me sloganin “Krah teje”.
Haradinaj premton rritje pagash, mbështetje për bizneset dhe kushte më të mira ekonomike për qytetarët.
Ai kërkon ndryshim të qeverisjes dhe shton se Kosova duhet të forcojë rrugën e saj drejt NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Ndërsa dita e votimit afrohet, paga, ekonomia dhe orientimi ndërkombëtar po kthehen në temat dominante të fushatës.
Qytetarëve u mbetet të vendosin më 28 dhjetor se kujt do t’ia besojnë drejtimin e Kosovës për vitet e ardhshme.
Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025, Kosova në prag të një vendimi të madh politik. /TV Arbëria