Sot, në lagjen “Aktash”, në Prishtinë u bë përurimi i pllakës përkujtimore në shtëpinë e Haradin dhe Zade Muja, që ishte vatër dhe bazë e Lëvizjes Popullore dhe celulave të para të UÇK-së.
Në këtë ceremoni, u tha se shtëpia e Haradin dhe Zade Mujës nuk ka qenë vetëm një bazë, ku veprimtarët dhe luftëtarët janë pritur në çdo kohë e në çdo orë, por e gjithë familja kanë qenë pjesë shumë e rëndësishme në luftën çlirimtare të Kosovës dhe të viseve të saj. Po ashtu, u tha se në këtë familje janë mbajtur takime të rëndësishme të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Emrush Xhemajli tha se shtëpia e Haradin dhe Zade Mujës ka qenë bazë e lirisë popullore të Kosovës dhe UÇK-së.
Xhemajli: Shtëpia e Mujëve, një nga bazat më të rëndësishme të aktivitetit atdhetar
“Haradin Muja do të mbahet mend në veçanti kur i hapi derën në vitet 70-ta të burgosurit politik, Hazir Shalës, i cili u gjend ngushtë me banim pas vuajtjes së dënimit në burgjet jugosllave. Hajredini e ftoi bujarisht që të vjen e të banojë në shtëpinë e tij, këtu në ku jemi tash në lagjen Aktash. Në këtë shtëpi, duke qenë familjarë me Mujët, ka banuar dhe vepruar në kohën e studimeve bashkë me familjarë, pasi ishte bashkëfamiljar i tyre, heroi i kombit Fehmi Lladrovci. Shtëpia e Mujëve në vitet 70-80 dhe 90-të, u bë një nga bazat më të rëndësishme të aktivitetit atdhetar dhe pastaj të Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovë.”, tha Xhemajli.
Ai u shpreh se gjatë veprimtarisë së tyre që lidhet me shtëpinë e Haradin dhe Zade Mujën kanë mbajtur takime e aktivitete veprimtarë nga të gjitha hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi, si: Adem Demaçi, Ali Aliu, Ukshin Hoti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Xhavit Haziri, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Shaban Shala, Afrim Zhitia, Fahri e Bahri Fazliu, Sabit Veseli, Hajrullah Gorani, Hazir Shala, Rexhep Balidema, Sadik Makolli etj, në mesin e atyre që s’janë më, derisa nga ata që janë ai përmendi: Rexhep Qosjën, Shqipe Haradinajn, Fadil Fazliu, Isa Demirin, Ali Ahmetin, Bajram Kadriun etj.
Ndërsa, Ali Ahmeti u shpreh se sukseset e Lëvizjes Popullore të Kosovës kanë qenë të pashmangshme, ashtu siç ka ndodhur deri te formimi i UÇK-së, çlirimi i vendit.
Ahmeti: Lëvizja ka patur një adresë në Prishtinë për të gjitha viset
“Këtu ku shpaloset kjo pllakë, shtëpia ku janë bërë takime, ajo nuk ekziston më, por ekziston trolli, që të gjithë ata njerëz kaluan, hynë, bënë takime për punë, për veprimtari. Dini, kreu i shtëpisë, jo që nuk i dinte të gjitha lëvizjet, por herë pas here edhe i inkurajonte…Lëvizja ka patur një adresë në Prishtinë për të gjitha viset…”, tha Ahmeti.
Ai shtoi se liria jonë themelet i ka në gjakun e rinisë shqiptare.
Ndërkaq, Ramiz Lladrovci potencoi se shtëpia e Haradin dhe Zade Mujës ka qenë e madhe, sepse ka pritur e përcjellur njerëz, që do të bënin historinë në tri luftrat çlirimtare.
Ai tha se Prishtina ka qenë dhe do të mbetet zemra e ideve atdhetare, që e ndriçoi tërë kombin.
Lladrovci: Shtëpia e e Mujëve u bë çerdhe e ideve dhe veprimeve atdhetare
“Prishtina ishte ura e qëndresës gjithshqiptare, planeve, ideve atdhetare. Kjo shtëpi u bë çerdhe e ideve dhe veprimeve atdhetare nga fundi i vietev 70-ta deri në celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot kjo pllakë i takon kësja shtëpie me meritë, ashti siç ju takon edhe shumë shtëpive që padrejtësisht sot harrohen, shtëpitë e legalitetit, strehimit, mikpritjes dhe sigurisë të atdhetarit nga të gjitha trojet etnike. Vlera e kësaj pllake do të ishte më e madhe po të ishte Dini e Zadja gjallë për të parë se mundi dhe përpjekja e tyre ia ka vlejtur edhepse me vetëdije e rrezikonin familjen e vet, si prindër të gjashtë bijëve, prej tyre, një dëshmor.”, u shpreh ndër të tjera ai.
Ndërkaq, Bedri Llapashtica, i cili ka banuar në shtëpinë e Haradin dhe Zade Mujës kur ka qenë student, kujtoi bisedat me Haradin Mujën për verimtarët e të burgosurit politikë, me të cilin siç tha ai “ndanim të njëjtin mendim”.
Tutje, ai foli rreth bunkerit të ndërtuar në vitin 1992 në shtëpinë e Haradin Mujës, në të cilin ka marrë pjesë.
Ndërkohë, në emër të familjes foli Shaban Muja, i cili shprehu falënderime për përkrahjen, si dhe tha se ka pasur fatin që ka qenë shok me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë edhe Fahri Fazliun.
Muja: Kam pasë fatin që jom kanë shok me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun
“Une ju falënderohem, këta folën, pjesa ma e madhe foli. T’u ju falënderu babës tem edhe nanës tem, po përkrahjen edhe të vllaznëve, unë sot s’isha ky që jom. Kam pasë fatin që jom kanë shok me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë edhe Fahri Fazliun, po të mos isha me ta, ndoshta nuk isha edhe ky sot që jom. Ju falëminderit për ardhjen e juj, për respektin që keni ba, faleminderit shumë prej juve, faleminderit.”, tha ai.
Pllaka përkujtimore e shtëpisë Muja do të shërbejë si dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore dhe simbol i qëndresës, sakrificës, patriotizmit dhe çerdhes së mbi 100 autoriteteve më të larta të celulave të para të UÇK-së. /TV Arbëria