Analisti politik, Afrim Kasolli, i ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arberia, ka deklaruar se sulmet e fundit ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë mbajnë shenja të qarta të përfshirjes së strukturave të sigurisë së Serbisë. Ai theksoi se, ndonëse këto dyshime kanë ekzistuar prej fillimit, tashmë provat e mbledhura në bashkëpunim me agjencitë e inteligjencës amerikane i kanë dhënë hetimit një bazë të fortë.
Kasolli tha se qysh pas sulmit në Banjskë ishte e pritshme që Serbia të ndërmerrte veprime të tjera destabilizuese.
“Praktikisht dyshimet e para kanë qenë që shteti serb, strukturat e saj të sigurisë pashmangshëm kanë qenë të involuara në këto veprime destruktive ndaj shtetit të Kosovës, cenimit të sovranitetit”, u shpreh ai.
Ai theksoi se sulmi në Ibër Lepenc dallonte nga ai i Banjskës për shkak të fshehtësisë së plotë me të cilën ishte organizuar.
“Në rastin e sulmit në Ibër Lepenc ishte bërë në fshehtësi të plotë, në një sekret të plotë, dhe sulmi i mbi-infrastrukturën kritike të Kosovës… ishte imitim tipik i sulmeve mbi strukturës kritike të Rusisë ndaj Ukrainës”.
Kasolli nënvizoi se hetimet nuk janë ngritur mbi dyshime, por mbi prova të sigurta të mbledhura nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me agjencitë amerikane.
“Prokuroria në demokraci nuk mund të funksionalizojë me hamendje, me dyshime, me paragjykime, por i duhen provat. Dhe ajo që është e rëndësishme në lidhje me aktakuzën është se provat janë siguruar nga bashkëpunimi i institucioneve juridike të Kosovës me agjencitë e zbulimit amerikan, si FBI, që e ka dhënë ndihmën kryesore në këtë drejtim”.
Ai foli edhe për narracionet politike që janë krijuar kohëve të fundit në vend, duke thënë se disa aktorë po përpiqen të paraqesin sikur SHBA-të janë kundër interesave të Kosovës.
“Ka ekzistuar një narracion politik që të tentohet të krijohet përshtypja sikur pushteti në Kosovë, vetëm përkundër vullnetit ndërkombëtar, po e mbron Republikën e Kosovës, e madje edhe amerikanët po ushtrojnë presion që të bëhen lëshime për të kënaqur Serbinë. Ekziston ky narracion, është evident”.
Sipas tij, rezultatet e hetimit e rrëzojnë këtë pretendim.
“E para është që të rrëzohet pikërisisht kjo përshtypje që Amerika nuk është kundër Republikës së Kosovës, sepse ajo ka asistuar në njërin prej hetimeve më të rëndësishme dhe më komplekse për Kosovën, që drejtpërdrejt përgjegjëse i bën strukturat e shërbimit serb”.
Kasolli shtoi se ky rast mund të shërbejë si provë edhe në arenën ndërkombëtare.
“Tashme mund të shtohet dosja e sulmeve dhe akteve të Serbisë në Kosovë me dokumente të konfirmuara dhe hetime të përfunduara”.
Ai përfundoi duke theksuar se as sulmi në Banjskë, e as ai në Ibër Lepenc, nuk do të mund të përballoheshin pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ata janë në funksion të konsolidimit dhe mbrojtjes së shtetit të Kosovës, dhe nuk ka vend për interpretime të tilla për nevoja të brendshme elektorale”, deklaroi Kasolli.