Zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar të Hanit të Elezit kanë zbuluar sot një shumë prej 295,270 euro të padeklaruara te një shofer i cili fillimisht kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për deklarim.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti është ndalur për kontroll të detajuar në vijë të dytë, ku gjatë verifikimeve është gjetur shuma e madhe e parave, e fshehur brenda veturës. Paratë janë sekuestruar menjëherë, në përputhje me procedurat ligjore.
“Gjatë kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit, zyrtarët doganorë kanë ndalur një automjet për verifikim të detajuar pasi drejtuesi kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për deklarim. Gjatë kontrollit të automjetit janë zbuluar dhe sekuestruar 295,270 euro të padeklaruara, të fshehura brenda veturës”, thuhet në njoftim.
Rasti është referuar për hetime të mëtejshme nga organet kompetente.