Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, i ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arbëria, ka folur gjerësisht për sfidat e procesit zgjedhor dhe ndërhyrjet politike që, sipas tij, kanë ndikuar në punën profesionale të KQZ-së.
Gashi tha se KQZ-ja duhet të funksionojë si një “trup profesional”, i cili është i obliguar të zhvillojë proceset zgjedhore mbi bazën e ligjit, rregullave dhe Kushtetutës së Kosovës.
Megjithatë, ai theksoi se “nganjëherë në procese zgjedhore ndeshen edhe çështjet politike, të shtyera zakonisht nga pushteti, i cili synon përmes mekanizmave të ndryshëm, qoftë të shtyej diçka përpara që është në favor”.
Sipas tij, këto ndërhyrje shpesh i vënë në pozitë të vështirë përfaqësuesit politikë brenda KQZ-së.
“Kjo pastaj ne si përfaqësues të subjekteve politike pa dyshim që na vë në atë sprovë ku nganjëher do të duhej të reflektojmë, ndoshta edhe pa dashje, por do të duhej të reflektojmë edhe ballafaqime politike brenda institucioneve. Nuk është e lehtë, se nganjëherë duhet të dalim edhe nga vetja në aspektin profesional”, u shpreh Gashi.
Ai përmendi edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se ka pasur kërkesa “të pakuptimshme”, si dhe përpjekje të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të krijuar qendra alternative të votimit jashtë vendit.
“Pas vendimeve gjyqësore edhe nga PZAP edhe nga Gjykata Supreme është treguar duke na dhënë të drejtë në konstatimet tona… se ajo ka qenë një përpjekje që bie në ndesh me ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe që bie në ndesh me Konventat e Vjenës 61 dhe 63, e cila përcakton qartë se çka është një përfaqësi diplomatike dhe konsullore”, tha ai.
Gashi shtoi se krijimi i qendrave të tilla do të ishte i papërballueshëm edhe për subjektet politike dhe për vetë KQZ-në, e cila nuk do të kishte mundësi t’i verifikonte.
“Ne si Komision Qendror nuk e kemi pasë mundësinë e verifikimit, ku e kemi me ligj obligim verifikimin e tyre, prandaj nuk e di pse kjo përpjekje”, deklaroi ai.
Ai u ndal edhe te votimi i mërgatës më 9 shkurt, duke e quajtur atë proces të kompromentuar.
“Vota e mërgatës kemi parë edhe video, është e komprementore, ka qenë e komprementuar për faktin se kemi pasë qendra të grumbullimit të njerëzve për t’u regjistru. Në momentin që janë regjistru, atëherë janë marrë edhe të dhënat e tyre, çertifikatat e tyre të regjistrimit, dhe pastaj ti e ki të pamundshme kush për kë ka votuar, a ka votuar vetë apo ka votuar dikush për të”.
Ai përfundoi duke theksuar se si anëtar i KQZ-së për 16 vite, nuk mund të garantojë për procesin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Votimi më 9 shkurt ka qenë i pambrojtur, i cenueshëm dhe si anëtar i KQZ-së që 16 vite nuk garantoj për një proces si ka qenë më 9 shkurt sepse nuk mund të përcillet”, tha Gashi, duke shtuar se edhe atëherë kishte pasur përpjekje për krijimin e qendrave alternative të votimit, të cilat ndanë KQZ-në përmes votimit.