Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë” cilësohet sfidë për institucionet ndaj trajtimit

“Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë” cilësohet sfidë për institucionet ndaj trajtimit

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, Lëvizja “FOL” ka organizuar një tryezë diskutimi me temë “Mbrojtja e Sinjalizuesve në Kosovë: Mes Ligjit dhe Realitetit”.

Gjatë diskutimit u theksua mostrajtimi i rasteve të raportuara nga sinjalizuesit, veçanërisht në institucionet e drejtësisë. Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli, tha se bazuar në anketimet e kryera, vetëm 40% e të punësuarve në sektorin privat janë të gatshëm të raportojnë çështje të ndryshme, një shifër që sipas saj reflekton frikën ekzistuese.

Demolli theksoi se, pavarësisht ekzistencës së një ligji të avancuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, zbatohet me pengesa serioze, përfshirë mungesën e informimit të udhëheqësve, keqkuptimet mes sinjalizuesve dhe zyrtarëve përgjegjës, si dhe publikimin e identitetit të sinjalizuesve në faqet zyrtare të institucioneve.

“Qëllimi i tryezës është diskutimi i sfidave dhe mundësive për zbatimin praktik të ligjit, sidomos kur preken interesat ekonomike të shtetit. Ka ende institucione serioze ku identiteti i sinjalizuesit mbahet publik, ndërsa në sektorin privat shumica e bizneseve nuk kanë informacion për ligjin, nuk kanë zyrtar të përgjegjshëm dhe inspektimet janë të pakta. Raportimi vjetor pothuajse mungon”, tha Demolli.

Një vit më parë, Lëvizja “FOL” kishte organizuar një tryezë të ngjashme ku mori pjesë sinjalizuesja Makfirete Dibrani. Edhe pse dy persona ishin në paraburgim për rastin, sot ata janë të lirë dhe nuk ka ende asnjë aktakuzë të ngritur, duke treguar hendekun mes ligjit dhe realitetit.

Avokati Ardian Bajraktari foli për rastin e zonjës Dibrani, duke theksuar vonesat dhe trajtimin jo adekuat nga institucionet. “Rasti u iniciua në dhjetor 2021, por hetimet filluan vetëm në tetor 2023. Dy vite janë tejkaluar, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Sinjalizuesja ende nuk ka statusin e mbrojtur dhe ne do t’i drejtohemi gjykatës,” deklaroi Bajraktari.

Milot Shala, udhëheqës i Divizionit për Sinjalizim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tha se ligji duhet të përmirësohet për t’i dhënë sinjalizuesit lirinë të raportojë kudo dhe me siguri. “Në institucionet publike kemi rritje të vetëdijesimit dhe numri i rasteve të raportuara ka arritur rreth 90 këtë vit, krahasuar me 50 vitin e kaluar. Në sektorin privat situata mbetet e vështirë, por zyrtarët kanë filluar të përdorin mekanizmat ekzistues,” tha ai.