Sot në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Tom Dodaj, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën u vra Liridon Ademaj. Ai ishte dënuar me pesë vjet burgim.
Dodaj ngarkohet me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Ai ka pranuar fajësinë për këtë vepër, mirëpo nuk është pajtuar me lartësinë e dënimit.
Avokati i tij, Agron Kuçi, për Klankosova.tv deklaroi:
“Ne kemi kërkuar ulje të lartësisë së dënimit. Dënimi prej pesë vjetësh është i lartë, duke marrë parasysh se klienti im ka pranuar fajësinë dhe ka bashkëpunuar me polici dhe prokurori. Ai edhe është viktimë në këtë rast dhe nuk ka ditur për qëllimin e përdorimit të armës.”
“E kemi bërë ankimimin dhe tani po presim. Besoj që ky proces do të zgjasë rreth 2-3 muaj”, shtoi avokati.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme, Komuna e Gjakovës, ai ia ka shitur një armë zjarri-pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava për 280 euro. Armë kjo që u përdor në kryerjen e vrasjes së Liridon Ademajt të njëjtën ditë, në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Tom Dodaj ishte dënuar me 5 vjet burgim nga shkalla e parë në janar të këtij viti. Megjithatë, avokati i palës mbrojtëse, Leutrim Syla, ka kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi, duke kundërshtuar kërkesën për ulje.