Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kandidati i PDK-së, Kryeziu kritikon qeverinë për ngecjen e autostradës Prishtinë–Gjilan: Kjo qeveri e ka lënë këtë projekt në mëshirë të fatit

Kandidati i PDK-së, Kryeziu kritikon qeverinë për ngecjen e autostradës Prishtinë–Gjilan: Kjo qeveri e ka lënë këtë projekt në mëshirë të fatit

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qendrim Kryeziu, ka reaguar ndaj ngecjes shumëvjeçare të projektit të autostradës Prishtinë–Gjilan, duke akuzuar qeverinë aktuale për paaftësi në realizimin e projekteve infrastrukturore madhore.

Në një postim publik, Kryeziu tha se kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga ndalimi i punimeve në këtë autostradë, e cila, sipas tij, ka mbetur në pikën ku ishte lënë që nga koha e qeverisjes së PDK-së. Ai theksoi se kjo është një dëshmi tjetër e “mos punës” së qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, e cila “jo vetëm nuk ka nisur projekte të reja, por nuk ka arritur të përfundojë as ato të trashëguara”.

Kanë kalur mëse 6 vite që kur është ndalur ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan. Por kjo arterie e rëndësishme infrastrukturore ka mbetur aty ku filluar që nga koha e qeverisjes së PDK-së.
Dhe ky dështim, ashtu si shumë të tjera e reflekton mos punën e kësaj qeverie. E cila jo vetëm nuk ka qenë në gjendje ta filloi ndonjë projekt dhe investim madhor, por as nuk ka qenë në gjendje t’i përfundojë ato që ia lanë trashëgim të tjerët“, ka shkruar ai.

Kryeziu akuzoi qeverinë aktuale për “shpërndarje mjegulle dhe propagande” ndaj qytetarëve, duke shtuar se vetëm një ndryshim politik mund të sigurojë përfundimin e autostradës dhe projekteve të tjera infrastrukturore të lëna në gjysmë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor t’i japin mbështetje PDK-së, duke e cilësuar këtë parti si “adresën e vetme” për rikthimin e investimeve serioze në vend. Kryeziu garon me numër 103 në listën e PDK-së.

“Prandaj, që kjo autostradë si dhe shumë rrugë tjera të cilat kanë mbetur në mëshirë të fatit, që të finalizohen me sukses, adresa e vetme mbetet numri 130 i Partia Demokratike e Kosovës – PDK -së, pjesë e së cilës jam me numër 103. Me 28 dhjetor rrezet ndriçuese te diellit të përfaqësuara nga PDK do t’i japin fund njëherë e përgjithmonë çdo mjegullnaje që e ka kultivuar ky pushtet gjatë këtyre viteve të humbura për Kosovën”, përfundoi ai.