Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KQZ e anulon tenderin një-burimor 1,8 milionësh për votat jashtë vendit, s’pati ofertues

KQZ e anulon tenderin një-burimor 1,8 milionësh për votat jashtë vendit, s’pati ofertues

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka synuar që përmes procedurës së negocimit ta japë tenderin me dy llote që ka të bëjë me votimin jashtë vendit me arsyetimin se s’ka pasur ofertues. Vlera e tenderit është 1.8 milionë, teksa është anuluar pas më pak se tri javëve para se të fillojë votimi jashtë vendit.

KQZ ka anuluar tenderin një-burimor dje për shërbimet postare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 në vlerë prej 1.8 milionëve, raporton Gazeta Insajderi.

Në arsyetimin që e ka publikuar KQZ’ja, thuhet se nuk ka pasur ndonjë ofertues lidhur me tenderin për shërbimet e postës për votim jashtë vendit.

Votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe zhvillohet nga ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit pritës.

Materialet zgjedhore të nevojshme për organizimin e votimit dërgohen nga KQZ paraprakisht, para ditës së votimit. Për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025.

KQZ-së me datë 26 dhjetor ka marrë vendim që qendrat e votimit do të hapen në këto shtete, në të cilat gjatë periudhës së regjistrimit janë regjistruar për votim një apo me shumë votues: Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Mbretëri e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegji, Austri, Kanada, Francë, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Katar, Holandë, Itali, Kroaci, Çeki, Hungari, Turqi, Maqedonia e Veriut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australi, Mali i Zi, Shqipëri, Japoni, Izrael, Bullgari, Portugali.

Tenderi u nda në dy llote, ku pjesa e parë ndahej për përgatitjen, dërgimin dhe dorëzimin e zarfeve me fletëvotime për votim përmes postës.

Pjesa e dytë parashihte kthimin dhe transportimin e pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

Në bazë të dosjes së tenderit, data e fundit për dorëzim të ofertave për operatorët ekonomikë ishte 09.12.2025, në ditën kur është anuluar tenderi. Rrjedhimisht, KQZ’së i kanë ngelur vetëm 17 ditë ta zgjidhë këtë çështje.

Tek afatet orientuese tek specifikimet për kompanitë, parashihet që nisja e pakove të fletëvotimeve nga kontraktori të bëhet nga i 10-ti deri me 15 dhjetor. Ndërkaq, arritja e tyre tek votuesit në Evropë nga 12 deri në 17 dhjetor dhe deri më 18 dhjetor tek votuesit jashtë Evropës.

Nuk dihet nëse vonesat e tilla mund ta rrezikojnë procesin e votimit jashtë vendit.

Shteti kishte pasur më herët probleme lidhur me çështjen e shërbimeve postare jashtë vendit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte ndërprerë kontratën me operatorin e papërgjegjshëm ekonomik “A.L. DUSHI SH.P.K.” për shërbimet postare diplomatike vitin që shkoi.

Në mesin e ankesave, ambasadat thuhej se kishin pranuar zarfa të dëmtuara. Po ashtu, nuk kishin dërguar as mbi 400 pasaporta e 165 letërnjoftime dhe katër vendime për lirim ose fitim shtetësie.

Kësisoj, kjo kompani edhe ishte vendosur në listë të zezë.

Gazeta Insajderi gjatë ditës raportoi edhe se KQZ’ja i ka dhënë sërish tender me formë të negociuar “CETIS”-it të famshëm slloven.

Kompania sllovene sërish është kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve, një tender që do t’i kushtojë buxhetit 275 mijë euro.

Kjo kompani përmendet gjithashtu për lidhjet e saj me Martin Berishajn.