Derisa popullsia urbane vazhdon të rritet me ritme të shpejta, një studim i publikuar në Nature Cities paralajmëron se deri në vitin 2050 rreth 220 milionë banorë të qyteteve mund të mbesin pa qasje në ujë të rrjedhshëm.
Studimi, i realizuar nga Qendra Evropiane për Shkencën e Kompleksitetit në Vjenë dhe Banka Botërore, analizoi mbi 100 qytete në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Sipas tij, zgjerimi i pakontrolluar urban është arsyeja kryesore që po thellon krizën e ujit.
Qytete si Nju Delhi, Kajro dhe Bogota tashmë përballen me kosto uji 75% më të larta dhe mungesë infrastrukture për banorët e zonave periferike, të cilët kanë deri në 40% më pak qasje në shërbimet bazë krahasuar me zonat qendrore.
Në Afrikë, ku popullsia urbane pritet të rritet nga 550 milionë në 2018 në 1.5 miliardë deri më 2050, sfidat do të jenë edhe më të mëdha. Studiuesit theksojnë se mënyra e zhvillimit të këtyre qyteteve është vendimtare: ruajtja e densitetit urban dhe ndërtimi kompakt janë çelësi për të siguruar ujë dhe kanalizime për popullsinë në rritje.
Megjithatë, studimi vëren se dendësia e lartë nuk mjafton vetë – edhe lagje shumë të populluara, si Rocinha në Rio de Janeiro, vazhdojnë të kenë mungesë të theksuar të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.