Vesel Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate ka komentuar debatet e fundit politike rreth pozicionimit të NISMËS pas zgjedhjeve, duke theksuar se partia e tyre ka qenë për muaj të tërë në qendër të diskutimeve publike. Ai tha se roli i kryetarit Fatmir Limaj në proceset politike ka qenë vendimtar dhe konsistent, duke theksuar se ai ka qenë i vetmi lider që ka ngritur kauza të vërteta për interesin e shtetit.
“Në javën e fundit janë ngritur shumë tema rreth NISMËS, se a po shkon me PDK-në, e vetme apo me LDK-në. Por jo vetëm në javën e fundit, tash e 9 muaj NISMA është në debate televizive dhe në opinion është temë. Për faktin se mundem me thënë se i vetmi lider i cili ka ngritur tema, ka ngritur kauza për bashkim, për shtetin ka qenë Fatmir Limaj”, tha Krasniqi në emisionin “N’Pult” në TV Arberia.
Ai u shpreh se që nga zgjedhjet e shkurtit, Limaj ka qenë i orientuar drejt ndërtimit të stabilitetit politik dhe krijimit të një qeverie funksionale, pavarësisht kritikave që i janë adresuar.
“Që nga zgjedhjet e muajit shkurt, menjëherë kemi pasë një deklarim të Limajt, i cili, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor që e ka nda një barazi thuajse për pamundësi për të qeverisur një subjekt politik, por edhe opozita njëjtë, ka bërë thirrje për bashkim. Thirrja e tij ka qenë që ‘unë do të ulem për hir të vendit me secilin që është i gatshëm me bë qeverinë’. Dhe kjo është ataku pastaj në debate të ndryshme: po bashkohet me Vetëvendosjen, jo po ia bën kourumin…”, deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se gjatë gjithë kësaj kohe, Limaj ka negociuar me të gjitha partitë politike, duke mos përjashtuar askënd nga opsionet e bashkëpunimit.
“Pastaj më vonë doli e kundërta. Ne jemi dëshmitarë të kohës që Fatmir Limaj ka negociu jo vetëm me Vetëvendosjen e LDK-në por edhe me PDK-në dhe ka ofru mundësi aq sa na ka dhënë mbështetje neve populli me tre deputetë në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh ai.
Krasniqi tha se NISMA ka treguar qëndrueshmëri dhe gatishmëri për bashkëpunim, duke bërë të qartë se partia nuk ka qenë asnjëherë faktor bllokues.
“Ne me të vërtetë kemi treguar një konsistencë të jashtëzakonshme të liderit Limaj, por kemi tregu edhe bashkëpunim. Kemi ofru oferta të ndryshme, kështu që ne nuk jemi për bllokadën”, përfundoi ai.
Ai bëri thirrje që debati politik të fokusohet në zgjidhje dhe jo në spekulime, duke theksuar se roli i NISMËS do të vazhdojë të jetë konstruktiv në çdo proces qeverisës.