Analisti politik, Blerim Burjani, ka komentuar listat e kandidatëve të publikuara nga partitë politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se asnjë subjekt nuk ka arritur të sjellë ndryshim domethënës apo figura të reja me peshë publike.
Në një prononcim për TV Arberia, Burjani tha se listat kryesisht përmbajnë “emra të ricikluar”, ndërsa mungojnë profesionistët me reputacion publik. Sipas tij, aderimet e deritanishme nuk sjellin asnjë vlerë të re për elektoratin.
“Asnjë nga subjektet politike nuk ka arritur të ketë aderime domethënëse për elektorat. Ka emra të ricikluar, por jo të klasës intelektuale që kanë emër profesional. Janë emra që nuk kanë peshë publike. Asnjë parti nuk u forcua me asgjë”, u shpreh ai.
Burjani komentoi edhe përfshirjen e disa emrave të rinj në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, si Andin Hoti dhe Rufki Suma, duke vlerësuar se prurjet e tilla nuk ndryshojnë ndjeshëm panoramën e përgjithshme politike.
Lidhur me lënien jashtë listës së LDK-së të Agim Veliut, analisti tha se kjo është çështje e brendshme e partisë, por shprehu kritika për mungesën e reformave serioze në këtë subjekt.
“Lënia jashtë e Agim Veliut është diçka që e di LDK më së miri. Ai është njeri i vjetër dhe LDK-ja tjetër e ka lënë jashtë. LDK nuk i ka punët mirë as me reforma kadrovike. Ka nevojë të proklamojë njerëz të rinj, jo klika që mbajnë brenda partisë”, theksoi Burjani.
Sipas tij, partitë politike duhet të ofrojnë figura të reja, profesionale dhe me ndikim real, nëse synojnë të reflektojnë ndryshime të vërteta para votuesve. /TVArbëria