Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion në 2024–2025, vetëm 2.47% janë të profilit të lartë

IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion në 2024–2025, vetëm 2.47% janë të profilit të lartë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në tryezën e organizuar për publikimin e raportit “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ka evidentuar dallime të mëdha në efikasitetin e trajtimit të korrupsionit ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

Sipas IKD-së, viti 2024 ka qenë dukshëm më pak efikas, duke u karakterizuar me ngritje të aktakuzave me vite të tëra vonesë nga koha e dyshuar e kryerjes së veprës. Nga 444 personat e akuzuar përgjatë dy viteve, vetëm 11 janë zyrtarë të profilit të lartë – që përbën 2.47%.

Hulumtuesi Gzim Shala theksoi se Prokuroria e Shtetit ka pësuar regres, duke mos arritur të trajtojë aq lëndë sa ka pranuar. Vetëm 2.4% e të akuzuarve i përkasin profilit të lartë, dhe gjatë vitit 2024 nuk është ngritur asnjë aktakuzë e tillë. Në shumë aktakuza mungon edhe specifikimi i dëmit të pretenduar, që zakonisht varion nga 100.000 deri në 500.000 euro.

Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën Supreme, tha se sistemi gjyqësor ka arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Ai përmendi se plani strategjik i vitit 2022 për trajtimin e këtyre rasteve ka prodhuar progres, edhe pse fillimisht komisioni mbikëqyrës kishte vlerësime negative për zbatimin.

Ai theksoi nevojën për mbajtjen e seancave bllok dhe për vlerësimin e rregullshmërisë së aktakuzave që në momentin e pranimit nga gjyqtari.

Afërdita Bytyqi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, deklaroi se kjo gjykatë ka efikasitet maksimal, duke trajtuar pothuajse të gjitha lëndët e korrupsionit brenda tre muajve, përveç rasteve më komplekse.

Arian Gashi, prokuror dhe anëtar i KPK-së, tha se vetëm 48% e aktakuzave për korrupsion kanë kaluar në gjykata në vitin 2024, ndërsa deri në shtator 2025 kjo përqindje ka arritur në 60%. Ai e konsideroi këtë si një nga sfidat kryesore, duke krahasuar me aktakuzat për vepra të tjera penale që kalojnë mbi 90%.