Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ferizaj: Dogana konfiskon sasi të konsiderueshme barnash pa banderola në një barnatore

Ferizaj: Dogana konfiskon sasi të konsiderueshme barnash pa banderola në një barnatore

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një aksion operacional në një barnatore në Ferizaj, ku kanë zbuluar dhe sekuestruar një sasi të madhe barnash të futura në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit, doganierët kanë gjetur 153 copë produkte medicinale të llojeve të ndryshme, të cilat nuk bartnin banderolat e detyrueshme dhe dyshohet se janë futur në vend pa ndjekur rrugët zyrtare doganore. Mes tyre ka pasur barna që lëshohen vetëm me recetë, preparate për trajtimin e sëmundjeve kronike, produkte dermatologjike, antiepileptikë, antihipertensivë dhe artikuj të tjerë farmaceutikë të ndjeshëm.

Sipas Doganës së Kosovës, mallrat janë konfiskuar në përputhje me procedurat ligjore dhe janë dërguar në depot doganore për trajtim të mëtejshëm. Ndërkohë, rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës.

Institucioni doganor ka theksuar se mbetet i përkushtuar në forcimin e kontrollit të tregut farmaceutik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e qarkullimit të barnave të pasigurta në vend.