Ka përfunduar periudha e regjistrimit të votuesve që jetojnë jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor janë paraqitur mbi 84,700 kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike, prej të cilave afro 71,900 janë aprovuar, ka raportuar telegrafi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, njoftoi se rreth 6,700 aplikime janë refuzuar, ndërsa gati 5,900 të tjera vazhdojnë të jenë në shqyrtim.
Pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës:
-
Mbi 51 mijë persona do t’i dërgojnë fletëvotimet nga jashtë Kosovës nëpërmjet postës.
-
Rreth 2,500 do t’i dorëzojnë ato në kutinë postare të KQZ-së brenda vendit.
-
Afro 18 mijë kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas Elezit, procesi i aplikimit ka rrjedhur pa vështirësi dhe sipas planit.
KQZ u kujton votuesve të informohen me kohë për mënyrën e votimit dhe afatet e dorëzimit të fletëvotimeve, në mënyrë që të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.