Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vendimi i KQZ-së ndez krizën politike: partnerët ndërkombëtarë kritikojnë përjashtimin e Listës Serbe

Vendimi i KQZ-së ndez krizën politike: partnerët ndërkombëtarë kritikojnë përjashtimin e Listës Serbe

Kriza më e re politike në Kosovë ka shpërthyer pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar sërish Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime, KQZ-ja la jashtë garës partinë kryesore të komunitetit serb, duke shkaktuar reagime të forta nga partnerët ndërkombëtarë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, paralajmëroi se një veprim i tillë mund të dëmtojë rëndë reputacionin e Kosovës si demokraci multietnike dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me aleatët e saj më të afërt

Edhe Misioni i OSBE-së reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin si largim nga standardet ndërkombëtare dhe cenim të së drejtës për pjesëmarrje politike.

Edhe Bashkimi Evropian i është bashkuar kritikave. BE-ja thotë se vendimi reflekton politizim të procesit zgjedhor si nga Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe nga parti të tjera, duke cenuar parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës.
Ambasada e Italisë në Prishtinë shprehu po ashtu keqardhje, duke theksuar se çdo proces zgjedhor duhet të sigurojë pjesëmarrje të drejtë për të gjitha forcat politike.

Nga ana tjetër, kjo është hera e tretë që KQZ-ja refuzon fillimisht certifikimin e Listës Serbe, pas rasteve të ngjashme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në të dy rastet, PZAP-ja e kishte rrëzuar vendimin.

Lista Serbe mbetet forca dominuese politike në komunitetin serb: në zgjedhjet e shkurtit fitoi 9 nga 10 ulëset e garantuara në Kuvend, dhe në tetor mori të gjitha komunat me shumicë serbe.

Në mbledhjen e fundit, KQZ njoftoi se gjithsej 24 subjekte politike aplikuan për zgjedhjet e dhjetorit, prej të cilave u certifikuan 22.

Reagimet më të forta erdhën nga ShBA. Ambasada amerikane e quajti të papranueshëm përpjekjen e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje brenda KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe, duke e cilësuar si qasje “përçarëse” dhe “me vizion të ngushtë”.

Në linjë me këtë qëndrim, ambasadori dënoi “sjelljen penguese” të disa anëtarëve të KQZ-së, duke theksuar se procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë nga manovrat politike.

Kritikat e njëpasnjëshme të partnerëve ndërkombëtarë ngrenë pikëpyetje serioze për rrjedhën e procesit zgjedhor dhe për pasojat që mund të ketë ky vendim në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj më të rëndësishëm. /TVArbëria