Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Moscertifikimi i Listës Serbe ushqen narrativën serbe për shkelje të të drejtave

Moscertifikimi i Listës Serbe ushqen narrativën serbe për shkelje të të drejtave

Komisioni Qendror Zgjedhor, të martën, refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetori. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Për analistët politikë ky vendim i cili nuk ka asnjë bazë ligjore do t’i konvenojë më së shumti pikërisht narratives së Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.

Si interes strategjik për Serbinë, e ka cilësuar, komentatori politik, Petrit Zogaj, retorikën kundër Listës Serbe në Kosovë.

“E para, Kurti dhe të tijtë po e paraqesin Listën Serbe si problem për Kosovën, e jo Serbinë si të tillë. E dyta, duke e luftuar një parti politike minoritare, Serbia po e ka shumë të lehtë argumentimin se Kosova po i cenon të drejtat e pakicës serbe në vend”.

Me këtë vendim, beson Zogaj, Kosova, me vetëdije, po i shtyn serbët lokalë që asnjëherë të mos e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre.

“E kjo i garanton Kosovës destabilitet të përhershëm, deri në ndonjë aranzhim tjetër administrativ. E gjithë kjo po bëhet vetëm e vetëm që Kurti të vazhdojë të qëndrojë në pushtet — pa asnjë kërkesë për llogaridhënie për qeverisjen e tij, apo qoftë edhe diskutim për bllokadën njëvjeçare”.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, ajo e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, kanë votuar për. Ndërkohë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë abstenuar.

Në këtë kontekst sipas Zogaj, partitë ish-opozitare aktualisht janë brenda logjikës së fushatës së Kurtit dhe LVV-së lidhur me Listën Serbe.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

“Moscertifikimi i Listës Serbe në këtë fazë prodhon vetëm një efekt konkret: i jep Serbisë argument shtesë për të pretenduar se të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë po cenohen nga shumica shqiptare”.

Ky veprim i pamatur, që ndjek të njëjtin skenar të ditur paraprakisht që përfundon me dështim, beson ai, nuk është as serioz dhe as i përgjegjshëm.

“Po të ishte një qasje serioze, do të ndiqeshin rrugët institucionale dhe ligjore për shpalljen e saj organizatë terroriste dhe kjo temë do të mbyllej moti.  Pikërisht sepse nuk është e tillë, kjo manovër procedurale që bëhet për një grusht votash, vetëm sa e dobëson pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe i hap rrugë forcimit të kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një rezultat tërësisht i kundërt me interesat strategjike të vendit”.

Se moscertifikimi i Listës Serbe nuk ka bazë ligjore e thotë Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Ato janë veprime të orientuara nga qëllime politike dhe jo profesionale, përmes të cilave po dëmtohet imazhi i KQZ-së dhe po jepet një mesazh i gabuar për lirinë e zgjedhjes dhe të drejtës së pjesëmarrjes në zgjedhje”.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë janë shprehur të zhgënjyer dhe indinjuar me vendimin e fundit të KQZ-së në raport me Listën Serbe.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.

Edhe OSBE-ja ka dënuar veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Veprime të tilla përbëjnë një largim të qartë nga standardet ndërkombëtare të pranuara për proceset zgjedhore. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili pasqyrohet në sjelljen e votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake e jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike”.

Në vlerësimin e OSBE-së veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të forcojnë perceptimin se vendimet janë të motivuara politikisht, e jo të udhëhequra nga parimet e drejtësisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Në anën tjetër Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vlerësoi se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt.