Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dorëzimi i detyrës nga kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës – Arben Dashevci: Nuk pres tensione

Dorëzimi i detyrës nga kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës – Arben Dashevci: Nuk pres tensione

Me dorëzimin e detyrës nga kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës këtë të premte, ekspertët e sigurisë janë të mendimit se ky është një moment kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Pyetjes se çfarë mund të presim për nivelin e tensioneve në rajon, si dhe mundësisë për përshkallëzimin e situatës, për TV Arbëria i është përgjigjur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

“Procesi i pranimit dhe dorëzimit të pushtetit lokal në pjesët matan lumit Ibër përbën një moment kyç për funksionimin demokratik dhe ligjshmërinë institucionale në këto komuna”, ka deklaruar Dashevci.

Ai theksoi se ky hap është shumë më tepër se një procedurë administrative.

“Ky hap ka peshë të madhe simbolike dhe strategjike për integrimin e plotë të institucioneve lokale në rendin kushtetues të Kosovës.”

Duke marrë parasysh të kaluarën e tensionuar dhe rreziqet e përshkallëzimit në Veriun e Kosovës, Dashevci ka theksuar se ky proces duhet të zhvillohet me kujdes të veçantë dhe me një qasje të koordinuar mes autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

“Qëllimi kryesor është që tranzicioni të jetë i qetë, i ligjshëm dhe i besueshëm për të gjitha komunitetet”, ka shtuar ai.

Përsa i përket mundësisë për tensione dhe incidente, Dashevci nuk pret përshkallëzim të situatës.

“Unë mendoj që do të jetë i tillë dhe pa probleme”, ka thënë ai, duke shtuar se prania e Policisë së Kosovës, mbikëqyrja e EULEX-it dhe gatishmëria e KFOR-it janë të rëndësishme për krijimin e një mjedisi sigurie që parandalon ndërhyrjet e paligjshme.

“Në të njëjtën kohë, komunikimi transparent me komunitetin lokal, sidomos me qytetarët serbë, është thelbësor për të shmangur keqinterpretime dhe për të ndërtuar besim”, ka theksuar Dashevci.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së strukturave qytetare dhe lokale në këtë proces, që do të mundësojë që tranzicioni të shikohet si një vazhdimësi e legjitimitetit institucional dhe jo si një imponim.

“Pjesëmarrja e strukturave qytetare dhe lokale në këtë proces është një garanci që tranzicioni nuk shikohet si imponim, por si vazhdimësi e legjitimitetit institucional, duke respektuar ligjet dhe procedurat demokratike”, ka thënë ai.

Përfundimisht, Dashevci ka paralajmëruar se nëse procesi menaxhohet me profesionalizëm dhe maturi, ai mund të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Nëse menaxhohet mirë, procesi mund të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë në pjesët matan Ibër”, ka përfunduar ai.

Në aspektin e sigurisë, Dashevci ka theksuar se është e rëndësishme të respektohet ligji dhe të veprohet në përputhje me të.

“Nga aspekti i sigurisë, Lista Serbe, për shkak të orientimit të saj dhe varësisë nga direktivat e Beogradit, shpesh ndikon negativisht në stabilitetin e brendshëm. Por përgjigja e Kosovës duhet të jetë profesionale, ligjore, të matur dhe e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur gjithashtu se vetëm përmes forcimit të rendit kushtetues, luftës ndaj krimit të organizuar dhe krijimit të besimit të komunitetit serb te institucionet e Kosovës, mund të sigurohet një stabilitet afatgjatë dhe i qëndrueshëm. /TVArbëria