Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të votojnë edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Angela Griep.
“Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, DhSK-ja do të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj që të gjithë të paraburgosurit në Objektet e Paraburgimit të DhSK-së, të cilët dëshirojnë të votojnë, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës në zgjedhje”, ka thënë Griep për AP.
Ish-krerët e UÇK-së kishin votuar edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe në raundin e dytë të balotazhit më 9 nëntor, po ashtu kishin ushtruar të drejtën e tyre edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Më 4 dhe 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ky proces gjyqësor ka nisur në prill të vitit 2023 dhe gjatë dy muajve të fundit janë dëgjuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja, ndërkohë që dëshmitarët e thirrur nga prokuroria përfunduan dëshminë e tyre në prill të këtij viti.
Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020. Ajo i ngarkon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998–1999.