Analisti politik Artan Muhaxheri, në një përgjigje për TV Arberia, e ka komentuar pjesëmarrjen e Ambasadores së Kosovës në Oslo në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar këtë si një shkelje serioze të etikës diplomatike.
“Në fakt, ajo që ka bërë ambasadorja e Kosovës në Oslo — dalja hapur në mbështetje të një partie politike si Vetëvendosje — përbën shkelje serioze të rregullave që e përcaktojnë qartë rolin dhe kufijtë e përfaqësimit diplomatik. Ambasadorët janë përfaqësues të shtetit të Kosovës, jo të subjekteve politike, prandaj çdo angazhim partiak gjatë ushtrimit të detyrës është i papranueshëm“, tha Muhaxheri.
Ai theksoi se ky rast është veçanërisht shqetësues, pasi mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për diplomacinë e Kosovës, duke e minuar tërësisht neutralitetin që kërkohet nga shërbimi diplomatik.
“Ky rast është edhe më shqetësues sepse krijon një precedent të rrezikshëm: nëse një ambasadore shihet publikisht në tubime partiake, atëherë nesër fare lehtë mund të shkojmë drejt situatave ku diplomatët tanë jo vetëm i fusin duart në kutitë e votimit, por edhe këmbët“, tha ai.
Muhaxheri shprehu shqetësimin se ky angazhim mund të dëmtojë imazhin dhe integritetin e diplomacisë kosovare.
“Kjo e minon tërësisht neutralitetin që kërkon shërbimi diplomatik dhe e zhvendos përfaqësimin nga interesat e shtetit drejt interesave të një partie të vetme“, theksoi ai.
Përfundimisht, analisti theksoi se një ambasador që merr pozita të tilla politike largon veten nga rolin e tij diplomatik dhe e kthen në një akt militantizmi.
“Nga momenti që një ambasadore pozicionohet haptazi politikisht, ajo praktikisht largohet nga roli i saj si përfaqësuese e Republikës dhe shndërrohet në militante partiake. Kjo është e rrezikshme, e dëmshme dhe plotësisht e papranueshme sipas çdo standardi të diplomacisë moderne”, përfundoi Muhaxheri.