Ish-diplomati Blerim Canaj, i ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arberia, ka komentuar mundësinë e një rikthimi të Fatmir Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai theksoi se, megjithëse janë ende në proces diskutimesh për koalicione, rikthimi i Limajt në PDK do të ishte më natyral dhe i dobishëm si për të, ashtu edhe për partinë.
“Ne po flasim vetëm për koalicione për shkak se më tutje ka ende kohë të paraqiten listat, që i bie që zoti Limaj mund të shkrihet në një parti nëqoftëse tërhiqet si NISMA nga gara dhe po e përsëris që disa herë që përkundër që i kemi parë disa imazhe ku duket zoti Limaj me Abdixhkun, ku me gjasë është diskutuar për një koalicion të mundshëm mes tyre, unë mendoj që do të ishte më e natyrshme sikur Limaj të rikthehej në PDK, posaçërisht nëse bëhet fjalë për një shkrirje në një parti të caktuar. Mendoj që e para, Limaj është më i mirë sepse ka një votues aty, dhe e dyta, votuesi tradicional i PDK-së, të cilin e ka marrë Limaj me vete, do të kthehej në PDK“, tha Canaj.
Ai shtoi se një bashkim i mundshëm do të rrisë mundësitë e PDK-së për rritjen e numrit të votave, duke theksuar se shumë nga emrat që Limaj ka bashkuar në NISMA kanë qenë të lidhur me PDK-në dhe janë larguar nga ky subjekt.
“Nuk di sa kohë kanë për të dorëzuar listat me emrat e deputetëve, por e di që ka kohë deri më 6 dhjetor për të marrë një vendim. Po tërheqja, do të thotë se mund të ndodhë kur të duan, mirëpo dorëzimi dhe njoftimi në KQZ për koalicione ka përfunduar afati. Mendoj që Limaj ka bërë dorëzimin që të jetë më i kujdesshëm dhe të mos humb mundësinë që të dalë në garë. Nëse e marrim si të tillë, duke pasur parasysh edhe zgjerimin që ai ka bërë, edhe emrat e ndryshëm që ka futur në ekipin e tij, Limaj mund të shtojë numrin e votave“, shtoi ai.
Canaj theksoi se akterët politikë brenda PDK-së janë më të lidhur me Limajn se sa me liderët e tjerë dhe e konsideron atë një figurë më të afërt me PDK-në, duke pasur parasysh rolin e tij në themelimin dhe ndërtimin e partisë.
“Kur i shohim akterët politikë brenda PDK-së, absolutisht Limaj është shumë më PDK se ata, dhe jam i sigurt për shkak se Limaj ka qenë pjesë e themelimit, ndërtimit të PDK-së. Tani që në krye të PDK-së është Bedri Hamza, jam i sigurt që komunikimi është më i lehtë mes Hamzës dhe Limajt, sepse me kryetarin paraprak, Memli Krasniqi, për shkak të bashkëpunimit që e kanë pasur kur Limaj ka qenë ministër i Transportit dhe Hamza kur ka qenë ministër“.
Ai gjithashtu kritikoi gjuhën polarizuese të përdorur nga Vetëvendosje gjatë fushatave, duke thënë se kjo është një praktikë e rrezikshme që ndihmon në ndarjen e qytetarëve dhe shmang programet e qëndrueshme politike.
“Vetëvendosje me disa deklarata që po i bën që nuk është gjuhëpërqarëse është gjuhë e poshtër. Një njeri duhet të jetë shumë i poshtër për të përdorur një gjuhë dhe një komunikim të tillë me qytetarët. Më vjen keq që po shprehem kështu, por problemi është kjo tendencë e polarizimit të qytetarit, sidomos gjatë fushatave. Zakonisht partitë që nuk kanë ide dhe projekte, merren kryesisht me linçime, etiketime dhe ndërtojnë njëfarë gjuhë të tillë, sepse ata nuk kanë çfarë të tregojnë“, tha Canaj.
Ai gjithashtu theksoi rolin e LDK-së në diasporë dhe faktin që VV ka pasur një qëndrim tjetër gjatë periudhës kur qeveritë e Kosovës ndërtuan Ministrinë e Diasporës.
“LDK ka qenë ndoshta më e strukturuara në diasporë. Periudha kur VV ka marrë votën në diasporë, s’ka qenë ajo periudha kur qeveritë e atëhershme të Kosovës e ndërtuan Ministrinë e Diasporës për të përfaqësuar sa më mirë interesat e diasporës”, përfundoi Canaj. /TVArbëria