Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Akuza në KPK, në rend të ditës futet shkarkimi i kryesuesit Hajdaraj, disa anëtarë e lëshojnë mbledhjen

Akuza në KPK, në rend të ditës futet shkarkimi i kryesuesit Hajdaraj, disa anëtarë e lëshojnë mbledhjen

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i është përgjigjur pretendimeve të kryesuesit Ardian Hajdaraj se ka bërë presion ndaj prokurorëve për votim në procesin e përzgjedhjes se një anëtari të ri në KPK.

“Fatkeqësisht, në takimin paraprak e shfrytëzuat foltoren e këtij Këshilli për me m’sulmu mua.., ju dhe zëvendëskryesuesja. Këtë e bëtë që të mbulonit paligjshmërinë e juaj, shpifjet që i bëtë në raport me mua se kinse unë paskam bërë presion te një prokuror. Nuk është e vërtetë, është shpifje e pastër sepse publikisht po deklaroni që diçka ka ndodhë e nuk ka ndodhë”, ka thënë ai.

Ai tha se kryesuesi nuk prezantoi asnjë provë apo fakt, sepse nuk ka, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk patët ku me më sulmu në çështjen e raportit që e shtjelluat këtu në mënyrë të kundërligjshme, por më sulmuat mua personalisht sepse në raport nuk dëgjova asnjë shkelje që ishte bërë. Nëse keni diçka ma thuaj në sy, nëse ka një provë prezantoni pranë organeve, mos shpifni publikisht”, shtoi Gashi.

Sa i përket trajtimit të pikës për vlerësimin e performancës për shtatë prokurorëve të grupit, u kërkuar serish largimi i Agron Qalës për trajtimin e kësaj pike. Por, meqë kjo kërkesë prapë nuk është marrë parasysh, katër anëtarët e KPK-së liruan sallën.

Me gjashtë anëtarë në sallë (përfshirë Agron Qalajn- që më herët u deklarua se nuk përbën kuorumin), kjo pikë vazhdoi të trajtohet e mbyllur.

Nuk miratohet Raporti për zgjedhjen e anëtarit të ri në KPK, Hajdaraj: U premtuan favore dhe kishte presion ndaj prokurorëve për votim

Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK), me 5 vota kundër nuk e ka miratuar Raportin e procesit të votimit për një anëtare të KPK-së.

Kryesuesi i Këshillit, Ardian Hajdaraj tha se për hir të opinionin sqaron se në mënyrë legjitime ka ardhur deri të ndarja e mendimit se ky Raport nuk duhet të miratohet, pasi sipas tij, procesi ka defekte serioze- duke përmendur edhe presione e premtim për avancime në sistem.

“Këta anëtarë që thonë se procesi ishte i mirë, premtuan favore sepse kemi informata nga prokurorë, favore që lidhen me avancimin e tyre, bënë vlerësim të perfomancës në mënyrë të pamerituar dhe po ashtu amnistuan prokurorë nga procedura disiplinore. Këto vendime janë publike edhe për performancë edhe për disiplinë”, tha ai.

Kryesuesi lexoi një mesazh që sipas tij një prokuror e ka deponuar te një kryeprokuror ku tregohej sipas tij presioni që kryetari i procesit zgjedhor Arian Gashi ka bërë.

“Përshëndetje Kryeprokuror, hiç mos të vjen keq, unë e jap arsyetimin ditën e hënë (sepse ka kërkuar sqarimin pse nuk ka ardhë me votu), do të vijë ditën e hënë kur të vijë në Pejë, e sheh sa herë më ka thirrë dhe shkruar për me shku me votu kandidaten e tij. Veç deshta me ia rikujtu Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe assesi nuk është obligim, me logjikën e tij, qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet me i dënu”, ka lexuar kryesuesi mesazhin.

Paraprakisht, ai tha se nuk ka certifikim të rezultatit pa shqyrtim të raportit, për çka tha se duke e zvarritur procesin është munduar të bëhet në këtë formë, pra certifikim automatik.

“Tash e kuptoj se prokurori Arian hezitoi ta shqyrtojë raportin, sepse opinoni publik e kupton qartë rolin e tij në këtë proces”, u shpreh Hajdaraj.

Në lidhje me këtë, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli u shpreh se kjo është një situatë e re, për të cilën, sipas saj, duhet të ndiqen rrugët e duhura ligjore.

“Si ka mundësi që një kryetar i Komisionit të cilit Këshilli ia ka besuar një punë kaq të rëndësishme të përfshihet në kësi lloj sjellje. Unë do kisha kërkuar që autoriteti kompetent ta iniciojë këtë çështje meqë është shumë serioze. Kryetari i komisionit, jo që nuk ka vend më këtu, por e sjellë veten para përgjegjësisë disiplinore, para përgjegjësisë penale”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ky proces është kamufluar që të duket bukur, por, që realiteti nuk është ashtu. Tha se kanë lejuar që të bëhet një rregullore e kundërligjshme që të zgjedhin një anëtare grua.

Paraprakisht, edhe anëtari Milot Krasniqi ka thënë se procesi nuk ka pasur vetëm shkelje të karakterit teknik, por shkelje substanciale që duhet të trajtohen.

“Nuk ka certifikim automatik, Këshilli nuk ka rol vetëm ceremonial”, ka thënë ndër të tjera ai.

Takimi vazhdoi me dyer të mbyllura për të vendosur lidhur me dy raste disiplinore, për çka u kthyen edhe anëtarët tjerë.

Ndryshem gjatë Konferencës Vjetore të Prokurorëve, më 1 nëntor 2025, Elza Bajrami-Kastrati mori 74 vota për mandatin pesë vjeçar si anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Qalaj thotë që ai s’përbën kuorumin, Gashi shprehet se po konfirmohet që mbledhja e KPK-së nuk mund të vazhdojë

Diskutimet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) po vazhdojnë. Gjatë kësaj mbledhje u bë e ditur se kanë pranuar dy kërkesa nga kandidatet për anëtare të Këshillit.

Prokurorja Elza Bajrami-Kastrati ka kërkuar përjashtimin e kryesuesit të KPK-së Ardian Hajdaraj nga vendimmarrja në këtë mbledhje, kurse prokurorja Merita Kurtishi-Gaka, përjashtimin e kryetarit të Komisionit Zgjedhor- anëtarit Arian Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kryesuesi Hajdaraj, tha se ndonëse nuk e sheh të arsyeshëm përjashtimin e tij, me qëllim të korrektësisë largohet nga mbledhja që anëtarët tjerë të vendosin për këtë propozim.

Për të sqaruar raportin e Komisionit Zgjedhor, u ftua që të kthehet në mbledhje anëtari Arian Gashi.

Gashi më pas u rikthy, sipas tij, vetëm për të hir të sqarimit publik se ai nuk i refuzon takimet. Megjithatë, tha se ka kaluar afati i ankesave të kandidatëve, ndërsa ritheksoi se nuk qëndron në mbledhje pa largimin e Agron Qalajt, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

Në anën tjetër, Qalaj tha se dëshiron të ritheksojë se ai nuk e përbën kourumin në këtë takim.

“Unë nuk e përbëj kourimin, mirëpres mirëkuptimin në atë që e kam thënë. Presim vendimin gjyqësor, unë kam thënë- vendimi i Këshillit për caktimin tim është në fuqi dhe përbën efekt juridik. Pres dhe mirëpres konstruktivitet të Këshillit dhe anëtarëve të Këshillit”, ka thënë ndër të tjera ai.

Për këtë, anëtari Gashi tha se po konfirmohet se Këshilli nuk ka kuorum që të vazhdojë mbledhjen, duke u larguar më pas sërish nga takimi.

Kryesuesi Hajdaraj, u rikthy për leximin e raportit të Kryetarit të Komisionit Zgjedhor lidhur me procedurën e zgjidhjes se një anëtari të ri në KPK.

Krasniqi: Nuk jam naiv të kërkoj shkarkimin e kryesuesit, desha të tregoj se sa arbitrar ishte shkarkimi i Besim Kelmendit

Pas fjalimit të anëtarit nga shoqëria civile, Visar Krasniqi në takimin e së hënës të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial, ai mori sërish fjalën dhe tha se nuk ishte propozim për shkarkimin e kryesuesit dhe se nuk është naiv ta kërkojë një gjë të tillë, por vetëm tërhoqi një paralele me rastin e Besim Kelmendit.

“Propozimin e tërheq nga konteksti, sepse e tërhoqa një paralele të njëjtë siç është shkarkuar Besim Kelmendi. Unë nuk jam aq naiv sa të jap propozime të tilla, as mënyra qysh është shkarkuar Besim Kelmendi, as kryesuesi Hajdaraj, sepse nuk ka efekt juridik”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se për të ndodhur shkarkimi, duhet të themelohet komisioni disiplinor, ku procedura kryhet jo më vonë se një muaj nga dita e themelimit.

“As proceduralisht, as logjikisht, as Besim Kelmendi nuk ka mundur të shkarkohet. Unë ju falënderoj që më dhatë mundësinë të tregoj se sa arbitrar ishte shkarkimi i Besim Kelmendi”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se ai nuk qëndron pranë propozimit, pasi nuk mund të zhvillohet.

Në anën tjetër zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli tha se procedura për shkarkimin e ushtruesit të detyrës se Kryeprokurorit të Shtetit është e ndryshme me atë për shkarkimit të anëtarit të Këshillit.

Krasniqi tha se vetë Grantolli me sqarimet e procedurës konfirmoi se shkarkimi i Kelmendit ishte joligjor. Meqë propozimi është tërhequr, kryesuesi Hajdaraj u kthy në sallë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në këtë takim miratoi procesverbalin e seancës së 276-të.

Lëshojnë mbledhjen edhe dy anëtarë tjerë të KPK-së, në rend të ditës futet shkarkimi i kryesuesit Hajdaraj

Pas debatit rreth pjesëmarrjes së u.d., Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Agron Qalaj, edhe dy anëtarë të tjerë të Këshillit, Dardan Vuniqi dhe Arian Gashi, kanë lëshuar takimin. Në rend të ditës u fut shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj.

Anëtari Vuniqi tha se do të kthehet në trajtimin e rasteve disiplinore.

Paraprakisht, zëvendëkryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli u shpreh se kjo tërheqje e anëtarëve është bërë një rrugë e pakthyeshme.

“Nuk jemi këtu për të bërë skena dhe drama, sepse kemi përgjegjësi, duhet të rrimë sepse kemi obligim ligjor. Anëtari i Këshillit shkarkohet nga mandati nëse nuk merr pjesë dy herë në mbledhje pa arsye”, ka thënë ajo.

Grantolli tha se nuk po sheh që këta anëtarë po dëshirojnë reforma në drejtësi.

“Nuk e kemi luksin që të qëndrojmë në këtë pikë. Të jemi më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm pasi kemi procedura disiplinore që duhet të vendosen sepse çdo revoltë e tillë nuk është demokratike”, ka thënë ajo.

Për këtë, anëtari Arian Gashi ka thënë se ata ishin prezent në dy mbledhjet, por e kanë liruar takimin për shkak të vendimeve të kundërligjshme.

“Daljet tua janë të koordinuara, me qëllim të shqyrtimit të raportit të kandidates për anëtare të Këshillit. Çdo shmangie nga këto diskutime është e qëllimshme”, ka thënë Hajdaraj.

Propozohet shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, dy anëtarë lëshojnë mbledhjen

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, anëtari Visar Krasniqi propozoi të shkarkohet nga pozita kryesuesi Ardian Hajdaraj.

“Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi.

Ai kërkoi nga Agron Qalaj që ta lirojë takimin e Këshillit, me arsyetimin se është person i paautorizuar të qëndrojë në këtë takim. Tha se qëndrimi i tij në këtë sallë, iu pamundëson anëtarëve tjerë të vazhdojnë tutje.

Anëtari Veton Shabani, insistoi se para se të shkohet me rend të ditës, Agron Qalaj ta lirojë sallën.

“Të gjithë janë të njoftuar se ai vendim ka qenë joligjor. Me gjithë respektin për Qalajn, ne kërkojmë nga ai që ta lirojë sallën që të vazhdojë mbledhja normalisht”, ka thënë ai.

Sipas tij, tashmë Besim Kelmendi ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ankesë ka efekt suspendim të çdo vendimi.

“Kërkojmë që të merrni masa, mos të krijohen vendime tjera të kundërligjshme”, është shprehur ai dhe më pas ka lëshuar sallën.

Ndërkaq, Dardan Vuniqi tha se e konsideron të nevojshme tërheqjen nga kjo mbledhje.

“E konsideroj të nevojshme që të tërhiqem nga kjo mbledhje, por jo para se të qes propozimin tim. Unë mbështes çdo hap që qartëson ligjin. Unë kthehem kur të ketë situatë të qartë ligjore për mos t’u kthyer as në mbledhjen e radhës pa u sqaruar aspekti ligjor”, tha Vuniqi.

Ai kërkoi pauzë 15 minuta, që të reflektojë edhe Qalaj, që mos të qëndrojë në këtë mbledhje.

Në anën tjetër, edhe anëtari Arian Gashi tha se nuk mund të qëndrojë në mbledhje ku është i pranishëm edhe Qalaj.

“Tashmë kemi një ankesë në Supreme, andaj derisa të vendosë Gjykata nuk mund të vazhdojmë, kuorum kemi, Qalaj tha lirojë sallën”, tha Gashi.

Më pas, anëtarët Visar Krasniqi dhe Veton Shabani lëshuan mbledhjen.

Kurse, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se këtë nuk e konsideron ndryshe përveçse presion që Qalaj të largohet.

Atij iu përgjigj Gashi, duke thënë se nuk po i bëjnë presion, por po kërkojnë ta lirojë sallën sepse bën kuorum të kundërligjshëm.

Më pas, në takim mori fjalën Qalaj, i cili përsëriti se nuk do të përfshihet në diskutime dhe as në vendimmarrje, duke mbajtur qëndrim neutral deri në vendim të gjykatës.

“Nuk do të preferoja të largohem në formën që ju po dëshironi, thoni çfarë të doni- por unë më nuk do të diskutoj”, u shpreh Qalaj.

Agron Qalaj: Në këtë mbledhje marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk përfshihem në diskutime e as vendimmarrje

Në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm si anëtar ex-officio.

“I nderuar kryesues i Këshilit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”, tha Qalaj.

Në mbledhjen e KPK-së po merr pjesë u.d Kryeprokurori i ri i Shtetit i zgjedhur nga pesë anëtarë

Në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën po merr pjesë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarë të KPK-së.

Agon Qalaj, pas shkarkimit të Besim Kelmendit, në mbledhjen e 20 nëntorit u caktua ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Mbledhja e Këshillit nisi me një orë vonesë nga orari i planifikuar.

Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.