Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bajrami kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Më 28 dhjetor vendi çlirohet nga mashtruesit

Bajrami kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Më 28 dhjetor vendi çlirohet nga mashtruesit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e akuzuar pushtetin aktual për mashtrime dhe përpjekje për t’i atribuar fajin opozitës për çdo dështim qeveritar.

Bajrami tha se qeveria në vazhdimësi tenton të paraqitet si e bllokuar nga opozita, ani pse – siç thekson ajo – opozita “as nuk i ka numrat, as nuk është në pushtet”. Ajo shtoi se përgjegjësia për vendimet dhe pasojat e tyre bie tërësisht mbi qeverinë, e cila për katër vjet ka udhëhequr të gjitha nivelet e pushtetit, madje për një vit “i ka uzurpuar ato”.

Ajo listoi një sërë çështjesh për të cilat, sipas saj, fajësimi i opozitës është i pabazë: nga mosndërtimi i 160 çerdheve, lirimi i çmimit të energjisë, heqja e TVSH-së, e deri te mosrealizimi i projekteve infrastrukturore, vendosja e sanksioneve ndaj vendit dhe ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA-në.

Bajrami theksoi se qytetarët e dinë mirë “kush doli i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kush e mbajti vendin të bllokuar për 9 muaj”, duke shtuar se qytetarët nuk duhen nënvlerësuar.

Në fund të reagimit të saj, ajo deklaroi se “më 28 dhjetor vendi çlirohet nga mashtruesit”, duke e cilësuar Qeverinë Kurti si të dështuar dhe mashtruese.