KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar se trupat shumëkombëshe të Komandës Rajonale Perëndimore kanë marrë pjesë në “Konkursin Ushtarak të Ushtarit më të Mirë”, zhvilluar në kampin “Villagio Italia” në Pejë.
Sipas njoftimit për media, ky event sportiv-ushtarak ka mbledhur ushtarë nga i gjithë KFOR-i, me qëllim testimin e kufijve fizikë dhe forcimin e rezistencës. Gara përfshinte një marshim sfidues prej 15 kilometrash me pajisje të plota luftarake, ku pjesëmarrësit u përballën me vrapime, ushtrime fizike, prova qëndrueshmërie dhe detyra taktike.
KFOR-i tha se gjatë garës ushtarët kryen ushtrime të ndryshme, ndër to hedhjen e granatave, reagimin ndaj situatave CBRN, detyra logjistike, kalime të pjerrëta, tirol dhe qitje.
Në përfundim të njoftimit, KFOR-i theksoi se performanca e fortë e ushtarëve dëshmoi vendosmëri, disiplinë dhe një frymë të fortë bashkëpunimi – vlera që e karakterizojnë misionin e tyre të përbashkët në Kosovë.