Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare zhvillon vizitë zyrtare në Londër: prezanton projekte strategjike për bashkëpunim mbarëkombëtar

Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare zhvillon vizitë zyrtare në Londër: prezanton projekte strategjike për bashkëpunim mbarëkombëtar

Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare, Hyzer Gashi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Londër, ku është pritur nga përfaqësues institucionalë dhe drejtues të odave ekonomike shqiptare dhe nga Koosva në Mbretërinë e Bashkuar. Vizita kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëkombëtar dhe prezentimin e projekteve strategjike të Odës.

Gjatë takimit me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës në Londër, Artan Labjani, u diskutua për krijimin e mekanizmave të rinj të koordinimit ndërmjet bizneseve shqiptare në diasporë dhe zgjerimin e rrjeteve të bashkëpunimit në tregun britanik.

Kryetari Gashi zhvilloi takim edhe me kryetarin e Odës Ekonomike Shqiptare në Londër, Zenel Hoxha, ku paraqiti programin strategjik të Odës me fokus rritjen e partneriteteve ekonomike dhe bashkëpunimeve ndërshqiptare.

Në kuadër të vizitës, Gashi u takua edhe me veprimtarin e çështjes kombëtare, Hysamedin Oruci, i cili i dorëzoi Bibliotekës Qendrore të Londrës literaturë të dokumentuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarja u moderua nga një deputet i Parlamentit të Britanisë së Madhe, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe institucionale të këtij momenti.

Në eventin përmbyllës të organizuar nga Oda Ekonomike Britaniko-Kosovare, Gashi prezantoi projektet madhore të Odës Ekonomike Shqiptare, përfshirë hekurudhën nën­tokësore Prishtinë–Tiranë dhe vizionin për qarkullimin ekonomik mbarëkombëtar në përputhje me trendet moderne të zhvillimit.

Oda Ekonomike Shqiptare vlerëson se vizita e Gashit në Londër hap mundësi të reja për partneritete ekonomike, investime dhe projekte të përbashkëta mes bizneseve shqiptare dhe atyre në Mbretërinë e Bashkuar.