Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka deklaruar se pajtohet plotësisht me qëndrimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kritikoi mbajtjen e seancës gjyqësore në Hagë pikërisht më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit.
Përmes një reagimi në Facebook, Bosch ka cituar deklaratën e Thaçit, i cili tha se mbajtja e seancës në këtë datë përbënte “një surprizë të pakëndshme” për të dhe për të gjithë shqiptarët. Ai theksoi se çdo popull ka historinë, traditat dhe vlerat e veta kombëtare, ndërsa 28 Nëntori për shqiptarët është ditë e shenjtë e identitetit kombëtar.
“Jam dakord”, ka shkruar Bosch, duke theksuar se në interes të gjykatës është të shmangë veprime që nuk do të ndodhnin në shtetet e veta.
Në reagimin e tij, Bosch përcolli edhe fjalët e Thaçit të thëna gjatë seancës.
“Është në interes të kësaj gjykate që gjërat që nuk mund të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse të mos ndodhin as këtu.”
Thaçi kishte theksuar se mbajtja e seancës në Ditën e Flamurit duhej të ishte shmangur, pasi për shqiptarët kjo është ditë feste kombëtare, shtetërore dhe familjare.