Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Meriman Braha: 28 Nëntori ka qenë i ndaluar, por i shenjtë – këtë ditë e kam festuar edhe vetëm në qeli, në heshtje

Meriman Braha: 28 Nëntori ka qenë i ndaluar, por i shenjtë – këtë ditë e kam festuar edhe vetëm në qeli, në heshtje

Meriman Braha, profesor dhe ish i burgosur politik, i ftuar në emisionin “N’Pult” në TV Arbëria, ka rrëfyer përjetimet e tij personale dhe historike lidhur me festimin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë ditë si më të rëndësishmen për identitetin dhe ndjenjën kombëtare shqiptare.

Braha tha se: “Në 28 nëntor ka dy ndjenja që janë zhvilluar në kohë të ndryshme që lidhen me këtë datë dhe që në një kohë ato ndjenjat e respektit të datës janë të njëjta si në të kaluarën si tash, por në të kaluarën ka qenë një datë e ndjekur penalisht nga organet e shtetit serb dhe të gjithë njerëzit, dashamirës të një ideje, ideali kombëtar, këtë ditë të madhe e kanë festu në mënyrë të fshehtë në shtëpi”.

Ai kujtoi se me dekada të tëra, festimet e kësaj dite kanë qenë të ndaluara.

“Ka qenë një periudhë e gjatë, shumë e gjatë kohore që e karakterizonte veprimet ilegale në shenjë të respektit të datave, të ditëve dhe simboleve kombëtare, të cilat ishin kryesisht të ndaluara, ligjërisht të ndaluara dhe të sanksionuara me ligje. Kush festonte ose kush i shpallte një ndjesë të veçantë për datën 28 nëntor ka pasë pasoja të drejtpërdrejta nga organet shtetërore serbe”.

Duke folur për rëndësinë e kësaj date, ai theksoi:

“28 nëntori është i paharrueshëm, secili prej tyre, që nga i pari – nga 28 nëntori i të madhit Gjergj Kastrioti, 28 nëntori i të madhit Ismail Qemali dhe të 28 nëntorët e secilit vit për vit, dhe shënon vit për vit në gjitha familjet e vërteta shqiptare”.

Braha shtoi se asnjë festë tjetër nuk e arrin peshën e kësaj dite.

“Në asnjë prej të gjitha festave nuk e ka dimensionin e festës së 28 nëntorit, këtë festë nuk ka. Duhet të mos ketë shqiptar që nuk e shënon; e shënon çdo vit dhe çdo herë me të njëjtën dashuri, me të njëjtën forcë. Nuk ka njëherë e du ma shumë atdheun, njëherë nuk e di a e du – ose e don ose nuk e don atdheun, edhe kaq”.

Ai rrëfeu një përjetim të thellë personal.

“Të gjitha festat janë në zemër. Dita e flamurit, dita më e rëndë e flamurit, është atëherë kur ti je vetëm, dhe unë kam qenë dy herë vetëm në qeli kur ka qenë dita e flamurit dhe natyrisht nuk kam pas kujt me ia uru përveç vetvetes në heshtje. Po ato janë përjetime të veçanta të cilat kanë qenë taksë për me ardhë në këtë ditë që jemi sot”.

Duke folur për figurat kombëtare dhe përkrahjen që ka pasur në familje, Braha u shpreh:

“Të gjitha figurat kombëtare janë të rëndësisë së veçantë, secila prej tyre ka dimensionin e vet të ndikimit në formimin e personalitetit të njeriut atdhetar. Por unë kam pas fatin që brenda familjes të kem personalitete të cilat kanë dhënë kontribut në rininë e tyre të hershme dhe kanë qenë modeli i parë prej të cilëve kam përthith ndjesinë e fuqishme të atdhetarisë, qoftë të babës, qoftë të familjes, qoftë të vllaut, të motrës sime që i kam dëshmorë të atdheut, të luftës”.