Analisti Afrim Kasolli, i ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arbëria, ka dhënë një analizë të zgjeruar mbi situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar periudhën para-zgjedhore si jashtëzakonisht të pazakonshme dhe të rënduar nga faktorë të shumtë socialë e politikë.
Kasolli tha se “ne tashmë kemi hyrë edhe pse zyrtarisht kjo fushatë është vetëm 10-ditëshe për shkak se zgjedhjet janë të jashtëzakonshme, por ne po jetojmë në një ambient të jashtëzakonshëm e të çuditshëm, thuajse edhe vështirë të përshkrueshëm në terma normal, të definohet kjo situatë, ky momentum, kjo gjendje tejet depresive në aspektin social, politik”.
Ai shtoi se, pavarësisht deklarimeve të kryeministrit në detyrë, “Albin Kurti nëse nuk ka krizë ekonomike, nuk ka krizë financiare, nuk ka krizë politike, situata është excellente, mirëpo ka një krizë legale e keqpërdorur nga subjektet opozitare për ta shndërruar në krizë sociale, politike e ekonomike”.
Kasolli u ndal edhe te diaspora, duke thënë se përpjekja për ta paraqitur atë si të privuar nga e drejta e votës është e gabuar.
“Ajo te diaspora që më la përshtypje është përpjekja për t’u shfaqur si alogjizmi i vetëm i diasporës, se ka një mobilizim politik ku tentohet të privohet diaspora nga e drejta e votës – kështu po insiston pak a shumë ai”.
Ai e cilësoi këtë si pasqyrim të gabuar, duke shtuar se gjendja reale e demanton kryeministrin.
“Si ka mundësi se këta kanë qenë të detyruar të shkojnë nga vuajtja jashtë Kosovës, nga gjendja e rëndë, e tash të përsekutohen në njëfarë mënyre politikisht? Nëse shumica që kanë shkuar nga vuajtja e gjendja e rëndë e demanton atë që ai thotë se ka zhvillim ekonomik, për shkak se vetëm gjatë mandatit të tij kanë ikur dhe kanë shkuar mbi 220 mijë qytetarë vetëm brenda Bashkimit Evropian, pa e përjashtuar edhe Britaninë e Madhe”.
Sipas Kasollit, kjo është dëshmi se “në kohën kur ky ka qenë kryeministër paska pasë vuajtje në Kosovë, paska pasë mjerim ekonomik, paska pasë gjendje të rëndë sociale e ekonomike”, duke shtuar se “kjo e demanton atë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po mundohet ta thotë se nuk ka asnjë lloj krize në Kosovë”.
Analisti foli edhe për përgatitjet e partive politike.
“Partitë politike kanë një lloj entuziazmi dhe janë duke bërë përpjekje maksimale ta shtojnë pak a shumë kontigjentin e tyre të votave. Ne po e shohim, sidomos Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë filluar një lloj gare për aderime të reja politike, i pamë edhe dje marrëveshje ndërpartiake ndërmjet subjekteve politike – e tëra është që të shtohet trupi votues sepse është një betejë finale”.
Kasolli theksoi se beteja nuk është vetëm kundër LVV-së, por edhe mes vetë partive opozitare dhe liderëve të tyre.
“Nëse mbetet i njëjti trup elektoral, nëse mbetet i njëjti numër votash apo të pakësohet, atëherë do të ishte dështim për lidershipin e Bedri Hamzës në PDK, e mos të flasim edhe për Lumir Abdixhikun në LDK. Nëse rezultati nuk është më i mirë se ai i 9 shkurtit, atëherë kjo do të ishte një sprovë dhe një pikëpyetje për drejtimin e tij në LDK”.
Sipas tij, presioni është i dyfishtë.
“Pra është garë e dyfishtë: e para është nacionale – të rritet numri i trupave votues dhe të minohet ai i 9 shkurtit; në anën tjetër është vendimtare për lidershipin e tyre që ta ruajnë drejtimin e partisë”.
Kasolli shtoi se pak më të lehta mund të jenë pasojat për AAK-në.
“Mbase telashe më të vogla në këtë drejtim do të kishte Ramush Haradinaj”.
Gjithashtu u shpreh se presioni nuk mungon as te Vetëvendosje.
“Cila është arsyeja që shkuam në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme? Sepse ky subjekt nuk kishte vullnetin për ta ndarë pushtetin me subjektet tjera politike”.
Ai kujtoi deklaratat e Kurtit.
“Lëvizja Vetëvendosje rrezikoi ose gjithçka ose asgjë – këtë e ka thënë disa herë Albin Kurti. Arsyeja që shkuam në zgjedhje nuk është se nuk patëm mundësi për bashkëpunim qeveritar, por thjesht nuk ka pasur interesim”.
Kasolli përfundoi duke theksuar synimin e LVV-së.
“Lëvizja Vetëvendosje po i kërkon sërish t’i arrijë ato 500 mijë vota. Arsyeja pse ne jemi sot kështu – dhe kjo është një arrogancë, një lloj dëshire dhe e drejta e këtij subjekti”.