Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A kemi mundur ta ndalim ikjen e rinisë?

A kemi mundur ta ndalim ikjen e rinisë?

Shkruan: Agron Hoti

Duke e parë që bota e pasur po i zhvendos shërbimet “outsourcing” gjithnjë e më shumë nëpër vende të ndryshme (kryesisht në vende në zhvillim dhe më pak në ato të varfra), Kosova, sikur të kishte pasur një klasë politike më të përgjegjshme dhe më vizionare, do të kishte mundur ta parandalonte ikjen e pjesës më të madhe të rinisë që nuk kthehet më, kryesisht – nëse jo ekskluzivisht – përmes marrjes sa më shumë përsipër të kryerjes së shërbimeve “outsourcing” online në vendin tonë, apo, në gjuhë popullore, asaj që quhet “punë me kompjuter”.

Po, çfarë janë shërbimet “outsourcing”?

Shërbime “outsourcing” do të thotë “kur një kompani e një shteti (p.sh. nga Gjermania) zhvendos një punë, procesr apo shërbime te një kompani tjetër e jashtme (p.sh. në Kosovë), në vend që ta kryejë vetë brenda ndërmarrjes”.

Në gjuhë popullore shërbime “outsourcing” do të thotë kështu: një punë, proces apo shërbim online, të cilën deri dje e ka kryer me kompjuter një amerikan në Amerikë, të njëjtën mund ta kryejë me kompjuter një shqiptar i lidhur me internet, pa marrë parasysh se ku në Kosovë.

Ka 3 lloje kryesore të shërbimeve “outsourcing”:

1) Knowledge Process Outsourcing (KPO) me fokus te analistët e të dhënave, ekspertë ligjorë, kontabilistë, analistë të tregut, që paguhen më shumë sesa ITO dhe BPO;

2) Information Technology Outsourcing (ITO) me fokus në IT për punë komplekse dhe teknike, për të cilat kërkohen programues, inxhinierë të IT-së, zhvillues programesh që marrin paga më të larta sesa BPO, por më të uleta se KPO;

3) Business Process Outsourcing (BPO) me fokus në procese biznesore përmes mbështetjes për klientë, financa, përpunim të të dhënave, që marrin paga më të ulëta se ITO dhe KPO.

Sipas DOIT Software, shërbimet globale të outsourcing (v.i. ITO, BPO dhe KPO) në vitin 2025 kanë arritur në $854.6 miliardë dhe se kjo industri do të rritet me një normë mesatare vjetore të rritjes prej 5.46% gjatë periudhës së parashikimit. Tregu i shërbimeve “outsourcing” do të arrijë një vlerë totale prej 1.11 trilion dollarësh në vitin 2030.

Sipas Power Gate Software, top 10 vendet me industri më të zhvilluar të shërbimeve “outsourcing” për vitin 2025 janë: 1) India, 2) Vietnami, 3) Filipinet, 4) Ukraina, 5) Polonia, 6) Brazili, 7) Meksika, 8)Kina, 9) Egjipti, dhe 10) Argjentina.

Edhe Ballkani (përfshirë Kosovën) përbën një rajon atraktiv për shërbime “outsourcing”, edhe pse kryesisht për projekte të intensiteteve më të vogla, kjo kryesisht për shkak edhe të tregut të vogël, të fragmentuar dhe pse jo edhe jostabilitetit politik.

Përparësia e Ballkanit për të kryer shërbime “outsourcing” për tregun e BE-së është afërsia gjeografike, kostoja e ulët e punës, orare pune të përafërta, komunikim i lehtësuar, ngaqë fliten disa gjuhë të huaja sidomos anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, etj.

Një gjë është e sigurt: sikur qeveritë e Kosovës, përfshirë këtë të fundit, t’i kishin investuar në sektorin e IT-së gjithë ato qindra milionë euro që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin për vitra dhe atë vetëm sa për të fituar ca vota, nuk do të kishin ikur nga Kosova gjithë ajo rini që përbën kapitalin më të pazëvendësueshëm për të ardhmen e çfarëdo shteti apo kombi.

Sikur investimet në vitra të ishin investuar në gjuhë të huaja dhe sektorin e IT-së, Kosova nuk do t’i kishte humbur nga së paku 30–35 të rinj në vit.

Kur kësaj i shtojmë edhe donacionet e jashtme për zhvillim njerëzor në vlerë prej 160–200 milionë eurosh që i merrnim mesatarisht në vit nga viti 1999 deri në vitin 2023, kur edhe u futëm nën sanksionet e BE-së, atëherë kjo e tregon më së miri se sa shumë kemi pasur mundësi të krijonim një kapital njerëzor shumë më konkurrues sesa kemi sot.

Kjo ikje kaq e madhe e rinisë që po na ndodh, ku fshatra të tëra po mbeten vendbanime fantome pa as edhe një njeri të vetëm, do të ishte e papërballueshme edhe për ekonomi të fuqishme si ajo gjermane apo francize, se lëre më për Kosovën, edhe ashtu të vogël, me ekonomi shumë të vogël dhe që po tkurret çdo vit e më shumë.

Mjerisht, klasa politike në Kosovë bashkë me atë fetare, që janë aq shumë jashtë rrjedhave dhe trendeve globale, vazhdojnë të jenë nxitësit më të mëdhenj të ikjes së rinisë dhe përtharjes së potencialit kombëtar. Aktualisht nuk po shihet dritë në fund të tunelit, sepse vitrat gjithmonë nxisin varfëri. Varfëria nxit ikjen e rinisë. Ikja e rinisë me ritmet që po ndodh, po ia vret të ardhmen vendit, për bërjen e të cilit është sakrifikuar mbi 100 vite kohë, mund, djersë dhe para se gjithash gjak.