Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Organizata ‘Shqiptaria’ kritikon ashpër koalicionet e PDK-së dhe LDK-së me parti me orientim fetar

Organizata ‘Shqiptaria’ kritikon ashpër koalicionet e PDK-së dhe LDK-së me parti me orientim fetar

Organizata “Shqiptaria” ka reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit në skenën politike të Kosovës, duke akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për, siç pretendohet nga organizata, afrime me subjekte politike që kundërshtojnë modelin laik të shtetit.

Në një deklaratë publike, organizata vlerëson se koalicioni i PDK-së me “Listën për Familjen” dhe përpjekjet e LDK-së për aleancë me “Partinë e Drejtësisë” përfaqësojnë rrezik për karakterin laik dhe qytetar të Republikës së Kosovës. Sipas tyre, këto subjekte kanë shprehur më herët qëndrime që synojnë futjen e orientimeve fetare në politikë dhe ligjvënie.

“Koalicionet e PDK-së me Listën për Familjen, dhe përpjekjet e LDK-së për aleancë me Partinë e Drejtësisë, nuk janë çështje teknike apo numrash – janë goditje direkte ndaj themeleve shtetformuese të Kosovës moderne. Këto subjekte përfaqësojnë një orientim të qartë: anti-laik, anti-kushtetues, dhe me tendencë për të injektuar narrativa të islamizmit politik në diskursin historik dhe identitar të vendit. Kjo qasje është e rrezikshme për demokracinë, për qytetarin dhe për projektin kombëtar shqiptar”.
“Ne e kemi thënë gjithmonë: kushdo që fut fenë në politikë, kushdo që luan me “vlera fetare” për të manipuluar elektoratin dhe për të relativizuar karakterin laik të shtetit, është duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë, stabilitetin dhe identitetin perëndimor të Kosovës. Koalicionet e sotme nuk janë rastësi – janë projekt. Dhe ky projekt nuk është projekti i Kosovës së 17 shkurtit”.

Organizata “Shqiptaria” deklaron se ka qenë kritike ndaj çdo partie që, sipas saj, ka flirtuar me agjenda fetare në politikë, përfshirë Vetëvendosjen dhe AAK-në në raste të mëparshme. Në fund të deklaratës, organizata rithekson qëndrimin se “Republika e Kosovës është shtet laik, qytetar dhe evropian”, duke paralajmëruar se do të kundërshtojë çdo veprim politik që e vlerëson si rrezik ndaj këtij modeli.

“PDK, e cila ka qenë parti shtetformuese, sot e fut veten në një koalicion me një subjekt që ka përdorur gjuhë diskriminuese, ka goditur të drejtat e njeriut dhe ka tentuar të fusë orientim fetar në ligjvënie. Kjo është rrëshqitje politike që s’ka asnjë arsyetim. LDK, një parti që historikisht është identifikuar me modelin evropian e qytetar, sot po hap portën për parti me agjendë fetare. Të dyja këto forca politike po e relativizojnë karakterin laik të Republikës”.
“Ne i gjykojmë këto veprime me të njëjtën ashpërsi me të cilën e kemi gjykuar edhe Vetëvendosjen kur flirtonte me islamin politik; po aq sa kemi kundërshtuar edhe AAK-në kur hyri në koalicion me parti konservatore me bazë fetare. Parimi është i njëjtë: fenë larg politikës, shtetin larg fetarizimit, republikën larg ideologjive që synojnë të krijojnë “komb kosovar” me ngjyrime islame”.