Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe certifikimit të rezultatit të tyre, e gjithë beteja politike ndërmjet subjekteve parlamentare ka qenë e fokusuar në etiketimin ndërmjet tyre, se cila palë është fajtore dhe cila është viktime në sytë e opinionit publik për bllokadën shtetërore. Janë të njohura akuzat që janë sajuar në këtë kohë. Nën këtë atmosferë të elektrizuar u zhvilluan edhe zgjedhjet lokale. Sidomos në kryeqytet.
Kjo klimë është duke i shoqëruar edhe sot e kësaj dite bllokadën që e ka kapluar Prishtinën, fillimisht me paralizimin e Trafikut Urban, por që pritet të preken edhe segmentet tjera. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama kjo gjendje ka ardhur si pasojë e bllokimit që Qeveria është duke i bërë Komunës së Prishtinës.
Për të parin kryeqytetit mjetet financiare që ju takojnë janë bllokuar për motive krejtësisht politike. Janë 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar që po mbahen të kyçura në ministrinë e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Për ta shtuar presionin publik, Përparim Rama së bashku me punëtorë të Trafikut Urban ka ditë që është duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë me moton “ministër qiti paret”
Ndërkohë, ministri i Financave në detyrë fillimisht është arsyetuar se në fund të javës së kaluar Thesari i ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, për t’i ekzekutuar disa nga pagesat për shërbimet esenciale, por sipas tij e ka kuptuar nga kjo instancë se “përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se i kryejmë të hënën. Po ashtu, i njëjti zyrtar i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që ta kërkojë origjinën e problemit brenda vetës. Lumir Abdixhiku, sipas Hekuran Muratit, duhet t’u tregojë qytetarëve “të Komunës së Prishtinës pse nuk e votuan buxhetin e Prishtinës për vitin 2025! Po ta kishit votuar buxhetin e Prishtinës në seancën e fundit, sot Komuna e Prishtinës do ta kishte në dispozicion buxhetin e plotë, dhe fare s’do të kishte probleme me buxhet. Por ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin”.
Sidoqoftë, këto akuza dhe kundërakzua janë vetëm njëra nga simptomat e kësaj qasje bizare të subjekteve politike me implikime fatale për vendin. Ku ata kanë vendosur ta bllokojnë dhe shantazhojnë njëri-tjetrin për qëllime personale dhe partiake duke prodhuar një dëm tjetër të drejtpërdrejt. Që viktima reale të mos jenë vetë ata asnjëra palë, por shumica e qytetarëve të kryeqytetit. /TV Arbëria