Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > CREDO E RIKTHIMIT – Justiniana Secunda – Nëntori i Shqiptarëve

CREDO E RIKTHIMIT – Justiniana Secunda – Nëntori i Shqiptarëve

CREDO E RIKTHIMIT

Justiniana Secunda – Nëntori i Shqiptarëve – A.D. 2025

Ne, bijtë dhe bijat e Ilirikut të Shenjtë – Epirit, Maqedonisë, Dardanisë, Arbërisë, Malit të Zi dhe Dalmacisë – duke besuar në trashëgiminë tonë të lashtë, të gdhendur në gurët e Epirit, në brigjet e Adriatikut, të Jonit e të Mesdheut, në malet dhe fushat e Dardanisë e Maqedonisë, në bjeshkët e panumërta të Malit të Zi, si dhe në qytetet e dikurshme të Arbërisë dhe Dalmacisë.

Ne, bijtë dhe bijat e popullit që nuk lindi dje, por popullit që lindi në agun e historisë njerëzore. Popullit që e mbajti të zgjuar rrjedhën e historisë, e që i dha dritë Lindjes dhe Perëndimit.

Ne besojmë te ADN-ja jonë që fillon me Enea Dardanin, të cilin qytetërimi i lashtë e njohu si themelues shpirtëror të Romës. Ne besojmë se bijtë tanë, Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh, nuk ishin udhëheqës rastësorë, por fat i madh i popullit tonë dhe popujve europianë, sepse ata e përçuan kulturën dhe traditat e popullit dhe kontinentit tonë deri në skajet e botës.

Ne besojmë se trojet tona ishin djepi i parë i krishterimit europian. Besojmë, sepse ashtu siç dëshmon Ungjilli i Krishtit dhe shkenca e historisë, para se Perandoria e Romës të pranonte veprën mesianike të Jezu Krishtit, Shën Pali e predikoi Ungjillin “deri në Ilirik”, duke e gjetur te të parët tanë portën e hapur për Dritën e Vërtetë Hyjnore të kontinentit.

Këtu, në Ilirikun e Shenjtë Europian, në këto vise që të japin ndjesinë e lirisë së përhershme shpirtërore dhe ku çdo prozator e poet e ndjen veten të rilindur si Feniksi, u pranua me zemër dhe shpresë të madhe besimi monoteist.

Këtu, në Ilirikun e Shenjtë Europian, është përkthyer, është predikuar, është ruajtur, dhe prej këtu ka filluar të shpërndahet Fjala e Zotit në viset tjera të kontinentit.

Ne besojmë se bijtë tanë dhe bijat tona që drejtuan botën e antikitetit ishin dhuratë e Zotit dhe jo rastësi historike.

Konstandini i Madh, i lindur në Dardani, i hapi botës antike rrugën e lirisë fetare.

Justiniani, po ashtu i lindur në Dardani, aty nga malet pranë Shkupit, kodifikoi të drejtën civile (Corpus Juris Civilis), themelet e drejtësisë së sotme perëndimore.
Për shumë shekuj me radhë, të parët tanë, burra e gra, kontribuan në jetën politike, kulturore, administrative dhe shpirtërore të Romës dhe Bizantit, duke i bërë këto perandori një urë të gjallë të lidhjes dhe shkëmbimit të vlerave mes Lindjes e Perëndimit.

Ne besojmë se Arbëria e mesjetës, me katedralet që simbolizonin qytetërimin e lashtë, si dhe me gjuhën që mbijetoi pa qenë kurrë armike e fesë, e meriton vëmendjen dhe nderimin tonë.

Ne besojmë se Gjergj Kastrioti nuk ishte rastësi, por vazhdimësi e një historie të lavdishme, e cila, me Kryqin e Krishtit në zemër dhe Flamurin e Arbërit në ballë të ushtrive tona, mbronte vendlindjen tonë dhe kontinentin europian nga invazioni i qytetërimeve të huaja, duke i lënë amanet dhe trashëgimi brezave të ardhshëm nderin, besën dhe virtytin e pamposhtur të të parëve tanë.

Ne besojmë se jemi trashëgimtarë të popullit që i dha botës shumë filozofë, strategë, perandorë, shenjtorë, diplomatë, luftëtarë, poetë dhe ndërtues qytetërimesh, duke mos kërkuar ende asgjë nga ajo që me të drejtë na takon. Dhe prandaj sot, më në fund, pas një rrugëtimi të gjatë e plot sfida të historisë, duam t’i japim diçka vetvetes dhe trojeve tona.

Ne besojmë se ka ardhur koha e rikthimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve te Kisha Katolike dhe Apostolike.

Ne besojmë se ky rikthim nuk është rikthim nostalgjik, e as rikthim që kërkon leje e miratim nga ndonjë institucion, por është veprim praktik i ringjalljes së identitetit të vërtetë shpirtëror të popullit tonë.

Rikthimi ynë te Kisha Katolike dhe Apostolike do të bëhet këtu – në trojet tona, këtu – ku na gjeti Shën Pali e ku u pagëzuan paraardhësit tanë. Këtu, në këto troje ku u shkruan dokumentet e para dhe ku u ruajt gjuha, historia dhe kujtesa jonë kolektive.

Rikthimi ynë nuk e përjashton askënd dhe nuk bëhet si shprehje e armiqësisë ndaj askujt.

Rikthimi ynë është vepër e dashurisë që na bashkon me njëri-tjetrin dhe që na jep si vlerë të madhe reflektimin e thellë dhe pendimin e sinqertë.

Rikthimi ynë te Kisha Katolike dhe Apostolike nuk e gjykon të kaluarën e ndarjeve të dhimbshme, por e ndërton të tashmen paqësore dhe të ardhmen e bashkuar dhe të ndritshme të shqiptarëve.

Rikthimi ynë prandaj, nuk ndalet në kufijtë aktualë politikë, sepse ne jemi një popull i ndarë në shumë shtete, por që e kemi ruajtur një zemër, një kujtesë dhe një rrënjë e ADN të përbashkët.

Ne besojmë se Iliriku i Shenjtë nuk është vetëm shprehje gjeografike e së kaluarës, por një realitet i prekshëm i një familjeje më të madhe, në të cilën jeton fryma, besa dhe kultura shpirtërore e fetare e të parëve tanë.
Ne besojmë se historia jonë nuk është barrë e rëndë, por bekim i madh.

Ne besojmë se e ardhmja jonë paqësore nuk ka nevojë të shpiket, por duhet të jetohet e të gjejë shprehje në besimin e vërtetë që e kultivuan të parët tanë – në besimin që është paqe dhe shpresa e vërtetë dhe e vetme për njerëzimin. Madje, duke e shpallur rikthimin tonë te Kisha Katolike dhe Apostolike, ne riafirmojmë gjithashtu vullnetin tonë historik, aspiratën tonë shekullore për bashkim, si dhe dëshirën tonë të patundur për t’u bërë pjesë aktive e qytetërimit për të cilin sakrifikuan të parët tanë: pjesë e botës humaniste të Perëndimit, të hapësirës së lirë në të cilën vlerësohet dinjiteti i njeriut, aty ku sundon ligji, ku lulëzon kultura, dhe ku shpresa bëhet realitet përmes lirisë, besimit dhe paqes.

Prandaj, sot, në emër të brezit tonë dhe në nderim të kontributit të brezave para nesh, si dhe të beslidhjes me brezat e ardhshëm të paqes, të dinjitetit dhe të bashkimit, deklarojmë solemnisht:

Po, Ne, bijtë dhe bijat e Ilirikut të Shenjtë, po rikthehemi të bashkuar te besa e të parëve tanë katolikë.

Po rikthehemi te rrënjët tona. Te Drita e Krishtit. Te identiteti ynë.
Po rikthehemi aty prej nga na larguan me dhunë të paparë për një popull tjetër europian.
Po rikthehemi te trashëgimia dhe amaneti i të parëve tanë.
Po rikthehemi te vetvetja.
Te mëshira, shëlbimi dhe vullneti i Zotit tonë, Jezu Krishtit.