Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Valon Murtezaj kritikon udhëheqjen e LDK-së: 18 muaj pa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

Valon Murtezaj kritikon udhëheqjen e LDK-së: 18 muaj pa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me mosmbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për plot 18 muaj, duke e cilësuar këtë si abrogim të rregullave statutare dhe si një praktikë që dëmton funksionimin demokratik të partisë.Valon Murtezaj kritikon udhëheqjen e LDK-së: 18 muaj pa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

Në një deklaratë publike, Murtezaj thekson se që nga 28 maji 2024 e deri sot, Këshilli i Përgjithshëm nuk është thirrur asnjëherë, pavarësisht zhvillimeve të rëndësishme politike, zgjedhjeve kombëtare e lokale dhe krizës aktuale institucionale në vend.

Sipas tij, kjo mungesë e mbledhjes së organit më të lartë vendimmarrës të partisë e ka privuar LDK-në nga mundësia që anëtarët e saj të diskutojnë dhe përcaktojnë qëndrimet politike, ashtu siç e parasheh Statuti.

“Si është e mundur që kjo të ndodhë? Pse e bëjnë këtë menaxhuesit aktualë të LDK-së?”, pyet Murtezaj, duke shtuar se vetëm Këshilli i Përgjithshëm ka autoritetin statutar për të vendosur për çështjet madhore të partisë dhe për rolin e saj në institucionet e vendit.

Ai ka rikujtuar se gjatë kësaj periudhe vendi ka kaluar nëpër dy palë zgjedhje, ndërsa zgjedhjet e radhës parlamentare janë paraparë të mbahen më 28 dhjetor 2025. Murtezaj ka vlerësuar se Kosova po përballet me “krizën më të rëndë politike dhe institucionale në historinë e saj si shtet i pavarur”, duke theksuar se Kosova prej një viti nuk ka qeveri dhe as Kuvend efektiv.

Murtezaj ka kujtuar vizionin e themeluesve të LDK-së dhe të Presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar se LDK është krijuar mbi vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë, dhe se udhëheqësit duhet të udhëhiqen nga humanizmi e jo nga “profiterizmi vetjak dhe korruptiv”.

Ai shprehu shqetësimin se “demarkacioni ndërmjet vendimmarrjes demokratike dhe asaj autokratike-oligarkike është zhvendosur në dëm të demokracisë” dhe theksoi se LDK-ja duhet të mbetet e vërtetë, intelektuale dhe e patjetërsuar në thelbin e saj.

Në fund të deklaratës, Murtezaj thekson përkushtimin e tij për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
“Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush,” përmbyll ai, duke uruar që Zoti ta bekojë Kosovën dhe LDK-në.