Kosova po përballet me një hendek të madh tregtar në vitin 2025. Sipas të dhënave të Doganës, importet për periudhën janar-tetor kanë arritur rreth 5.8 miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 0.74 miliardë euro.
Kjo gjeneron një deficit tregtar prej mbi 5.1 miliardë euro, duke treguar një varësi të lartë të ekonomisë nga mallrat e importuara.
Për çdo 100 euro mallra që hyjnë në Kosovë, ekonomia arrin të eksportojë vetëm rreth 12.6 euro. Hendeku mujor nuk zbret asnjëherë nën 400 milionë euro.
Produktet më të importuara janë energjia dhe automjetet: mbi 735 milionë euro për karburante dhe vajra minerale, rreth 707 milionë për automjete, dhe mbi 454 milionë për makineri dhe pajisje.
Top 5 produktet e importuara në 2025 janë: karburante, energji elektrike, shufra çeliku, cigare dhe autovetura. Ndërkohë, eksportet mbeten të ulëta, me vlerë totale prej rreth 737 milionë euro.
Produktet e eksportuara më së shumti janë dyer dhe dritare plastike, pije freskuese, energji elektrike, mobilie prej druri dhe mbetje hekuri. Shqipëria mbetet tregu më i madh për ‘Made in Kosovo’, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.
Me një diferencë prej 5.07 miliardë eurosh midis importeve dhe eksporteve, paraja vazhdon të rrjedhë jashtë vendit. Ekspertët paralajmërojnë se pa politika stimulimi për eksportet dhe prodhim të brendshëm, hendeku tregtar mund të vazhdojë të rritet. /TVArbëria