Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci është shprehur se nëse bëhet rikthimi i Serbisë drejt praktikave të viteve ’90 dhe centralizimi i pushtetit nën Aleksandar Vuçiq është shqetësues për rajonin.
“Siq e pamë nga burimet e hapura në javët e fundit, raportimet ndërkombëtare kanë evidentuar një tendencë shqetësuese në Serbi drejt rikthimit në praktikat autoritare të viteve ’90-ta, të këtijë establishmeti të kontaminuar në Serbi me centralizimin e pushtetit tek presidenti Aleksandar Vuçiq dhe vendosjen e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi ushtrinë dhe policinë”.
Ai theksoi se ky proces është shqetësues jo vetëm për vetë Serbinë, duke tentuar të marrë kontroll sa më shumë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për disa arsye të qarta:
“Së pari, centralizimi i pushtetit nën një individ dhe shëndërrimi i presidentit në komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura minon ndarjen e pushteteve dhe mekanizmat demokratikë të kontrollit mbi ushtrinë dhe policinë. Një strukturë e tillë i hap rrugë vendimeve unilaterale që mund të krijojnë eventualisht tension të panevojshëm me fqinjët për rreth”.
“Së dyti, konsolidimi i autoritetit mbi ushtrinë dhe policinë mund të ndikojë tërthoraz/ indirekt mbi sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Një Serbi që i jep vetes kontroll të pakufizuar mbi instrumentet e forcës shtetërore e rrit rrezikun e sjelljeve provokuese dhe destabilizuese në rajon, me qasje gjithnjë destruktive duke kërcënuar paqen por edhe dialogun rajonal”.
“Së treti, në aspektin e sigurisë shpallja e presidentit të atij Shteti si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura ndryshon balancën e pushtetit dhe mund të dobësojë mekanizmat e kontrollit demokratik mbi përdorimin e forcës. Kjo nuk është vetëm një çështje interne, por ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi stabilitetin rajonal, pasi tensionet politike në Beograd mund të reflektohen menjëherë në marrëdhëniet me fqinjët dhe me komunitetin ndërkombëtar”.
Dashevci shtoi se është e rëndësishme që institucionet ndërkombëtare dhe aktorët rajonalë të vëzhgojnë dhe monitorojnë nga afër zhvillimet në Serbi dhe të nxisin mekanizma që mbrojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Rikthimi i Serbisë drejt praktikave centralizuese të viteve ’90 është shqetësues sepse krijon një ambient të favorshëm për abuzim të mekanizmave të sigurisë dhe instrumentalizim politik të strukturave të forcës. Nga perspektiva e inteligjencës kriminale, kontrolli i drejtpërdrejtë i presidentit mbi ushtrinë dhe policinë rrit rrezikun e operacioneve të fshehta, presioneve hibride dhe aktiviteteve destabilizuese në terren, veçanërisht në zonat kufitare me Kosovën”.
“Ky konsolidim mund të prodhojë ndikim të tërthortë për sigurinë në Kosovë përmes grupeve kriminale të ndërlidhura me strukturat shtetërore serbe, të cilat historikisht janë përdorur si instrument politik. Shpallja e presidentit të tyre atje si komandant i përgjithshëm vetëm e përshpejton këtë rrezik, duke dobësuar kontrollin civil dhe duke krijuar hapësirë për operacione të koordinuara që synojnë tensionim dhe destabilitet rajonal”.
Dashevci përfundoi duke nënvizuar: “Ky President që është edhe pasardhës direkt i kasapit të Ballkanit Millosheviç me këtë qasje destruktive dhe autokratike mund të ndalet vetëm nga presioni ndërkombëtar”.