Ekonomisti Jakup Bellaqa ka deklaruar për TV Arbëria se rritja e inflacionit në Kosovë ka arritur nivele shqetësuese, duke prekur fuqinë blerëse dhe standardin e jetesës së qytetarëve.
Ai tha se, “Inflacioni është dukuri shqetësuese dhe makroekonomike qe e dobson fuqinë blerse dhe e ulë standardin jetësor”, duke theksuar se arsyeja pse inflacioni vazhdon të rritet është varësia e madhe e ekonomisë nga importi.
Sipas tij, “Ne jemi ekonomi qe mvaremi nga importi rrethë 80% dhe e importojmë nga vendet e BE-së, dhe vendet e rajonit dhe ne e importojmë edhe inflacionin nga jashtë.” Bellaqa theksoi se faktorët kryesorë janë të jashtëm dhe vijnë nga disa zhvillime globale, duke shtuar: “Faktorët janë ma shumë të jashtëm dhe janë nga disa faktorë qe e kanë shkaktuar si: a) nga pandemia COVID-19, b) lufta në Ukrainë, c) importimi i energjisë elektrike, d) ndërprerja e zingjirit furnizues”.
Megjithatë, ai përmendi se edhe faktorët e brendshëm po e shtyjnë inflacionin përpara.
“Si faktorë të brendshëm kemi mosformimin e institucioneve qendrore dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike si në qershor prej 16.1%,” tha Bellaqa, duke shtuar se si pasojë “janë ngritur të gjitha çmimet e produkteve elementare bazike dhe çdo muaj ka pasur rritje të inflacionit p.sh. në korrik prej 4.3%, në gusht 4.5%, në shtator 4.7% dhe në tetor prej 5.1% që jetën e qytetarit e ka bërë të papërballueshme”.
Duke folur për shtrenjtimin specifik të produkteve si vezët, Bellaqa tha se faktorët e importit, kostot e prodhimit dhe trazirat në tregjet ndërkombëtare kanë qenë vendimtare për rritjen e çmimeve.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa urgjente për të frenuar rritjen e çmimeve.
“Qeveria duhet të marrë masa urgjente, sepse kjo situatë po e rëndon qytetarin dhe ekonominë e vendit”.
Në fund, Bellaqa e mbylli reagimin e tij duke nënvizuar se inflacioni në vend “po e bën jetën e qytetarit të papërballueshme.”