Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Lulëkuqja me katër petale, simbol i gjenocidit në Kosovë: “Plagë e hapur që kërkon drejtësi”

Lulëkuqja me katër petale, simbol i gjenocidit në Kosovë: “Plagë e hapur që kërkon drejtësi”

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka publikuar sot shpjegimin zyrtar të simbolit të lulëkuqes me katër petale, i cili tashmë është pranuar gjerësisht si simbol i gjenocidit në Kosovë.

Sipas Qendrës, katër petalet e lulëkuqes përfaqësojnë katër format e veprimit gjenocidal të ushtruar ndaj shqiptarëve. “Katër petalet paraqesin vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve të identitetit shqiptar”, theksohet në njoftim.

Në vend të kokrrave të zakonshme të lulëkuqes, simboli paraqet figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash. Qendra shpjegon se kjo është bërë “për të përfshirë të gjitha kategoritë e shqiptarëve që u shndërruan në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë”.

Një element i veçantë është vendosja e petaleve në formën e shkronjës X. “Gjatë luftës, në disa vendbanime të përziera etnike, okupatorët serbë shënonin shtëpitë e shqiptarëve me një X, për të orientuar forcat e armatosura drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet”, thuhet në reagim. Prerja e petaleve është realizuar duke simbolizuar “një plagë të hapur që kërkon drejtësi”.

Simboli përmbledh dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës: “Mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë, mijëra të gjymtuar, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion të dëbuar dhe qindra mijëra shkatërrime”, përkujton Qendra.

Deri tani, 24 komuna të Kosovës e kanë miratuar zyrtarisht lulëkuqen si simbol të gjenocidit. Ai ka marrë njëkohësisht përkrahjen e fakulteteve, universiteteve, intelektualëve dhe një sërë figurash publike.

“Ky është një simbol i kujtesës kolektive dhe i kërkesës për drejtësi”, përmbyll Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.