Aktivisti Basri Beka ka kritikuar ashpër shkrimet e Milazim Krasniqit, duke i konsideruar përpjekje të padrejta për të lidhur katolicizmin me identitetin kombëtar shqiptar. Sipas Bekës, akuzat e Krasniqit ndaj “Lëvizjes së Deçanit” si një organizatë hibride janë të pabaza dhe nuk reflektojnë realitetin historik dhe kulturor të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Beka thekson:
“Milazim, ju jeni problemi: deformues të identitetit, jo mbrojtës të kombit. Milazim, kjo që ke shkruar nuk është analizë. Është donkishotizëm klasik. Ti ke mbi 20 vjet që e ushqen narrativën e luftës hibride antishqiptare, duke i hedhur benzinë islamit politik dhe duke e shitur si ‘mbrojtje të shumicës’. Në fakt, ti dhe lloji yt keni qenë motorët e presionit kulturor që e shtyu një pjesë të shqiptarëve të kërkojnë kthim te rrënja, te civilizimi perëndimor, te identiteti kulturor që na ka mbajtur gjallë”.
Ai vazhdon:
“‘Lëvizja e Deçanit’ dhe çdo lëvizje tjetër që doli nga tubimi i 20 tetorit 2023 nuk janë komplot. Janë reagim i drejtpërdrejtë ndaj deformimit identitar që e keni ushqyer për dy dekada me radhë. Po, është fakt i njohur: një pjesë e shqiptarëve sot e preferojnë traditën katolike si rrugë më të qartë dhe më dinjitoze historike. Jo sepse është ‘fe kombëtare’, por sepse shqiptarët kanë qenë në trungun e kësaj kishe që nga antikiteti, dhe sepse kjo traditë u shndërrua në shtyllë të rezistencës kombëtare – nga Konstantini, te Skënderbeu, te Bogdani, te Gjeçovi, e deri te Presidenti Rugova, i cili Vatikanin e pa si shpresë reale për liri”.
Beka thekson gjithashtu rëndësinë historike të Kishës Katolike për identitetin shqiptar:
“Shqiptarët e dinë mirë çfarë ka bërë Kisha Katolike për ta. E kanë provuar strehën, ngrohtësinë dhe mbështetjen pa kushte në vitet ’90, kur nuk ju kërkua as gjuhë e re, as fe, as nënshtrim. Prandaj insinuata jote se barazimi katolicizëm–shqiptari ‘është mashtrim’ është thjesht hipokrizi. Askush s’po kërkon fesë të bëhet komb. Po flitet për përvojën historike të shqiptarëve me këtë traditë, e cila ka qenë shpëtimtare për kulturën, gjuhën dhe vazhdimësinë etnike”.
Ai sqaron edhe vijimësinë historike të UÇK-së dhe rezistencës shqiptare:
“Dhe të mos harrojmë vijimësinë historike që ti e shmang qëllimisht: UÇK-ja nuk ishte vetëm rezistencë ushtarake. Ishte pikërisht vijimësia logjike e traditës sonë të lirisë, nga Skënderbeu te Bogdani, nga rilindasit te Rugova. Dhe luftën e saj nuk e fitoi islamizmi politik, por aleanca me Perëndimin, me botën krishtere, me NATO-n, me qytetërimin ku shqiptarët për shekuj e kanë parë veten. UÇK-ja ishte shprehja më e qartë e vullnetit të kombit shqiptar për të qenë pjesë e kulturës perëndimore, jo satelit i Lindjes”.
Beka përfundon duke qartësuar pozicionin e Lëvizjes së Deçanit dhe të traditës katolike.
“E vërteta është e thjeshtë:
– Lëvizja e Deçanit nuk ka lidhje me konvertime me dhunë.
– Nuk është projekt i Vatikanit.
– Nuk ka lidhje me Rekonkuistën, e aq më pak me Serbinë.
– Është reagim civilizues ndaj deformimit që ke ushqyer ti dhe të ngjashmit.
– Po, barazimi i traditës katolike me shqiptarizmin ka bazë historike, kulturore dhe empirike – jo teologjike, dhe pikë.
Shqiptarët janë kulturë perëndimore dhe kjo vijë është e drejtë, koherente dhe historikisht e pandashme, dhe pikërisht këtë vijimësi po përpiqesh ta dëmtohesh ti sot, duke ia rikthyer debatit të njëjtin narrativë që ke shtyrë prej 20 vitesh: identitetin fetar para identitetit kombëtar, dhe kulturën e huaj para kulturës sonë”.