Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka lëshuar kritika të forta ndaj Qeverisë Kurti, duke deklaruar se tash e një vit institucionet e kryeqytetit po funksionojnë me borxhe për shkak të mosndarjes së buxhetit vetanak nga ana e ekzekutivit.
Lushaku ka paralajmëruar se bllokimi financiar po godet drejtpërdrejt qytetarët, të cilët sipas saj po e paguajnë çmimin e “bllokadës” dhe “kryeneçësisë politike”.
“Qytetarët po e paguajnë çmimin e bllokadës dhe të kryeneçësisë politike,” ka thënë ajo, duke shtuar se situata duhet të marrë fund.
Deputetja ka bërë thirrje që vendimmarrja të udhëhiqet nga arsyeja dhe politika e mençur, për ta vënë përpara interesin e fëmijëve dhe të shtetit, përpara çdo kalkulimi politik.
Ajo ka paralajmëruar se nëse vazhdon kjo qasje, Kosova mund të përballet me “kapitullim politik”.