Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se nesër nga ora 11:00 deri në 13:00, të gjithë sektorët e Radio-Televizionit të Kosovës do të hyjnë në grevë. Sindikata ka bërë të ditur se, nëse kërkesat e tyre nuk adresohen, do të marrë vendim për bojkotimin e shumicës së emisioneve dhe lajmeve.
“Gjatë kohës së grevës, krahas ndaljes së punës, do të organizohen protesta dhe do të ndërmerren veprime të tjera në ekran si shenjë e protestës për situatën e rëndë që po kalojnë kolegët dhe transmetuesit publik”, thuhet në njoftim.
Sindikata fton gjithashtu mediat të jenë të pranishme në fillimin e grevës për të ndjekur zhvillimet.
“Ky veprim është ndërmarrë pas dërgimit të kërkesave tona dhe njoftimit të të gjithë akterëve përkatës 7 ditë më parë, në përputhje me ligjin për grevat. Edhe njëherë, bëjmë thirrje që Menaxhmenti të marrë vendim për bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik. Nëse kjo nuk ndodh, Sindikata do ta marrë këtë vendim vetë”, thuhet në deklaratën e Sindikatës së RTK-së.